Avionë emergjence nisen nga Italia dhe Greqia për në Shqipëri, Franca e Turqia në gatishmëri
Avionë me skuadra speciale janë nisur nga Italia dhe Greqia për në Shqipëri për t’i ndihmuar autoritetet shqiptare për të trajtuar problemet e shkaktuara nga tërmeti me magnitutë 6.4.
Kryeministrat i Italisë, Giuseppe Conte dhe ai i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis kanë njoftuar homologun Edi Rama për avionët e nisur.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai turk, Rexhep Taip Erdogan, i kanë shprehur kryeministrit Edi Rama gatishmërinë për çdo nevojë që do të ketë Shqipëria.
“Të gjithë miqtë e Shqipërisë po aktivizohen me shpejtësi, kryeministri Conte e kryeministri Mitzotakis nisën avionët me skuadrat special. Presidenti Macron e presidenti Erdogan më shprehën gatishmërinë për çdo nevojë. Ambasadat e BE/ShBA kanë njoftuar qysh herët gatishmërinë. Qysh herët më ka telefonuar edhe presidenti Thaçi, i cili ka aktivizuar skuadrat speciale të FSK-së drejt zonave të krizës emergjente për nxjerrjen e njerëzve ende nën rrënoja. Vazhdojnë kontaktet, ndërkohë që në terren po bëhet gjithçka e mundur në pikat ku kushtet janë më të rënda”
“Kryeministri i Malit të Zi, Markoviç, njoftoi se një skuadër speciale mbështetje për të dëmtuarit po niset drejt Shqipërisë dhe po njësoj, një tjetër skuadër mbështetëse nga Serbia e specializuar në raste emergjencash, po niset drejt vendit tonë, më komunikoi presidenti Vuçiq. Kancelarja Merkel ka vënë në lëvizje mekanizmin e ndihmës në emergjencë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zaev, dhe kryeministri i Bullgarisë, Borisov, shprehën gatishmërinë për të aktivizuar mekanizmat e tyre të ndihmës”, ka shkruar Rama në llogarinë e vet në “Instagram”.