Avionët amerikanë që transportojnë armë bërthamore fluturojnë sot mbi Tiranë
Forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë njoftuar se dy avionë bombardues “Stratofortress” të skuadriljes 23, që operojnë në bazën “RAF Fairford” në Mbretërinë e Bashkuar, do të kryejnë sot një fluturim në kuotë të ulët në disa vende të Evropës Juglindore.
Në njoftim është bërë me dije se qëllimi i këtij fluturimi është të demonstrojë përkushtimin e ShBA-së ndaj aleatëve dhe partnerëve të NATO-s të vendosur në Evropën Juglindore.
“Për më tepër, kjo do t’u ofrojë qytetarëve mundësinë për të bërë foto, video dhe për të shijuar aeroplanin që fluturon pranë”, është thënë në njoftim.
Avionët do të fluturojnë mbi ndërtesën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, bregut të Malit të Zi, dhe në Dubrovnik të Kroacisë.
Oraret kur pritet të kalojnë bombarduesit:
Shkup 2:35-2:45 p.m.
Tiranë 2:50- 3:00 p.m.
Mali i Zi 3:05-3:15 p.m.
Kroaci 3:10-3:20 p.m.
“B-52H Stratofortress” është një avion bombardues që mund të fluturojë në distanca të largëta dhe mund të kryejë një sërë misionesh. Bombarduesi është i aftë të fluturojë me shpejtësi të lartë nën sonike dhe në lartësi deri në 15 mijë e 166 metra. Ai mund të transportojë armë bërthamore, si dhe raketa të llojeve të ndryshme të precizionit të lartë.