Avionët izraelitë sulmojnë pozicionet e Hamasit në Gaza
Avionët izraelitë goditën pozicionet e Hamasit në Gaza pas përshkallëzimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Nga Të shtënat ndërkufitare është plagosur rëndë një ushtar izraelit dhe 41 palestinezë, ku dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Sipas ushtrisë izraelite qindra palestinezë u mblodhën pranë kufirit ku disa prej tyre hodhën eksplozivë ndaj trupave izraelite.
Midis dy palestinezëve të plagosur rëndë është edhe një djalë 13-vjeçar i cili është qëlluar në kokë.
Nga sulmet në Gaza është plagosur rëndë një ushtar izraelit, i cili ndodhet në spital duke marrë ndihmën mjekësore.
Në përgjigje të të shtënave mbi ushtarin e plagosur, avionët luftarakë izraelitë kanë goditur katër vende të magazinimit dhe prodhimit të armëve që i përkasin Hamasit.
Teksa pritet një përshkallëzim i mëtejshëm i dhunës ushtria izraelite ka dërguar forca shtesë në zonën kufitare të Gazës.
Qindra palestinezë u mblodhën pranë kufirit të fortifikuar të Rripit të Gazës për një protestë të organizuar ku sipas Hamasit protesta u thirr për të shënuar djegien të 52 viteve më parë të Xhamisë Al-Aksa të Jeruzalemit, vendi i tretë më i shenjtë në Islam.
Turma palestinezësh të rinj hodhën gurë dhe bomba drejt ushtarëve izraelitë. Në përgjigje, ushtria izraelite gjuajti me breshëri dhe gaz lotsjellës drejt protestuesve.
Përshkallëzimi i fundit i armiqësive vjen pikërisht tre muaj pasi Izraeli dhe Hamasi arritën një armëpushim pas 11 ditësh të konfliktit më vdekjeprurës në vite.
Të paktën 250 palestinezë dhe 13 në Izrael u vranë në konfliktin e Majit, në të cilin militantët e Gazës lëshuan raketa drejt qyteteve izraelite dhe Izraeli kreu sulme ajrore.