Avioni me izraelitë, “gjueti” për hebrenj dhe akuzat e Putinit – Ç’ndodhi në aeroportin e Dagestanit?

30 tetor 2023 | 22:46

Në Dagestan, një republikë autonome e Federatës Ruse me shumicë myslimane, u kthye mbrëmjen e së dielës në qendrën e antisemitizmit të përdorur nga Hamasi, teksa turmat e njerëzve mësynë aeroportin e kryeqytetit Makhatchakla duke pritur me protesta një avion nga Tel Avivi.

Kronika e “gjuetisë” së hebrenjve u kthye shpejt në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombvëtare, ndërsa videot e mësymjes të publikuara në rrjetet sociale nga vetë protagonistët u bënë virale.

Në dhjetëra video shihen fanatikë anti-izraelitë që mësuan për një aeroplan që mbërrinte nga Tel Avivi në aeroportin e kryeqytetit dhe nxituan për të mësyrë aty, në mënyrë që të sulmonin pasagjerët e atij fluturimi, por në fund nuk patën sukses.

Garda Kombëtare Ruse dhe agjencitë e zbatimit të ligjit – të cilët fillimisht u kapën të papërgatitur nga turma – arritën të rivendosnin rendin, ndërsa udhëheqja e Ministrisë së Brendshme Ruse për Rrethin Federal të Kaukazit raporton 60 të arrestuar dhe më shumë se 150 të identifikuar.

Vetëm vonë në mbrëmje u njoftua se izraelitët dhe hebrenjtë ishin të sigurt brenda aeroportit. Autoritetet izraelite më pas organizuan nisjen e tyre për në Moskë. Ndërkohë, Tel Avivi zyrtar i ka kërkuar Rusisë që të mbrojë të gjithë izraelitët dhe hebrenjtë në territorin e Federatës dhe të ndëshkojë kërcënimet me të cilat përballen. Ambasadori izraelit në Rusi Alex Ben Zvi po punon nga afër me autoritetet ruse “për të garantuar sigurinë e izraelitëve dhe hebrenjve”.

Revolta u zbut, por imazhet dhe shqetësimi mbetet për atë që ndodhi. Njerëz të tërbuar duke bërtitur “Allahu Ekber” dhe duke tundur shkopinj në drejtim të avionit të ardhur nga Tel Avivi.

Në një prej videove një djalë i vogël pyet: “Për çfarë keni ardhur këtu? Çdo të bëni?”. Dhe një tjetër përgjigjet: “Për të vrarë hebrenjtë me thikë”.

Sakaq, një makinë policie u sulmua sepse mendohej se po transportonte izraelitët drejt ambienteve të sigurta. Një burrë i tmerruar i rrethuar nga turma dëgjohet që vazhdon të përsërisë për të dalë i gjallë: “Unë jam Uzbek, unë jam Uzbek“.

Ndërkohë, grupe burrash thyejnë hyrjet e aeroportit, hyjnë në zyra dhe mbërrijnë në pistë duke vrapuar në kërkim të “armikut”, duke shkruar një faqe antisemitizmi dhe tensionesh midis Moskës dhe Izraelit.

Ditët e fundit një delegacion i Hamasit kishte shkuar në Moskë për bisedime dhe vetëm dje Ministria e Jashtme në Jeruzalem kishte thirrur ambasadorin rus në Izrael, Anatoly Viktorov, për të protestuar dhe për t’i thënë se e konsideron “serioze që Moska nuk shpreh një dënim dhe që nuk qëndron larg nga organizata terroriste Hamas”.

Rusia reagoi me një deklaratë të kreut të republikës së Dagestanit, Sergei Melikov.

Melikov sugjeroi që të arrestuarit pas trazirave në aeroportin e Makhachkala të dërgohen në zonën e “operacioneve speciale” në Ukrainë, për të luftuar, në mënyrë që të “shlyejnë turpin”.

Putin, i cili thirri një samit të sigurisë për të hënën me kryeministrin, ministrin e jashtëm dhe krerët e agjencive të sigurisë, foli për “përpjekjet perëndimore për të përçarë shoqërinë ruse duke përdorur ngjarjet në Lindjen e Mesme”.

Edhe Kremlini i quan këto “ndërhyrje të jashtme”. Moska akuzon “regjimin kriminal” të Kievit se ka luajtur një “rol kyç” në sulmin ndaj aeroportit në Dagestan.

Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, trazirat në Dagestan ishin “rezultat i një provokimi të planifikuar dhe të kryer nga jashtë, që synonte minimin e unitetit të Rusisë“.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi e ka fituar “Topin e Artë” për herë…