Avni Ahmeti emërohet drejtor i Agjencisë Kadastrale të Kosovës
Kabineti qeveritar në mbledhjen e së martës ka emëruar Avni Ahmetin drejtor të përgjithshëm në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
Mandati i Ahmetit është tri vjet.
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar edhe ndryshimin e listës së artikujve për përdorim të përbashkët, që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit publik në Republikën e Kosovës.
Aprovimin e kabinetit qeveritar edhe nismat për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare të Ministrisë së Financave dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për financimin e projektit “Parku Inovativ Trajnues në Prizren”; dhe nisma për marrëveshjen ndërkombëtare ne mes të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (GIZ) për bashkëfinancimin e Projektit CETEP+ (Krijimi i vendeve të reja të punës përmes promovimit të eksportit).
Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar sqarime nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për procedurat e akreditimit të programeve të studimit në institucionet e larta të arsimit në Republikën e Kosovës dhe bazat e ligjshmërisë së këtij procesi. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka sqaruar se baza ligjore e këtij procesi është Ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës dhe implementohet nga Këshilli Kombëtar i Cilësisë dhe Agjencioni i Akreditimit të Kosovës.
Me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, në bazë të kërkesës së familjeve të të rënëve, është miratuar vendimi që Forca e Sigurisë së Kosovës të vazhdojë me rivarrimin e të rënëve në Kompleksin Memorial në Marinë të Skenderajt.
Gjithashtu, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes është emëruar në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Qendrës së Mjekësisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal është transferuar në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes.
/Epoka e re/