Avni Arifi i kërkon dorëheqjen nga posti i deputetit Pal Lekajt
Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar dorëheqjen e Pal Lekajt nga pozita e nënkryetarit të kësaj partie si dhe nga pozicioni i deputetit të Kuvendit të Kosovës.
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me tre vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtimit të buxhetit të Kosovës. Dënimi, i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar, ka të bëjë me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Arifi ka thënë të mërkurën se procesi nuk ka përfunduar akoma, por shton se Lekaj duhet ta mbrojë vetën në cilësinë e qytetarit, e jo në atë të deputetit e nënkryetarit të AAK-së.
“Sot çdo njeri i AAK-së që pushtetin e sheh si besim dhe shërbim e të tillë janë me mijëra u goditën rëndë nga dënimi i deputetit dhe nënkryetarit të AAK-së z. Pal Lekaj. Meqenëse procesi nuk ka përfunduar dhe është heret që të prejudikohet fajësia apo pafajësia e z. Lekaj, i takon atij që procesin e dyshuar ta mbroj vet në cilësinë e qytetarit e jo duke mbajtur pozicionin e deputetit dhe nënkryetarit të AAK-së”.
“Pali me dorëheqje i bën nder vehtes dhe partisë. Si ish kolegë dhe bashkëpartiak e kam të vështirë të besoj se z. Lekaj është fajtor por si qytetarë i Kosovës besoj në sistemin juridik të Kosovës dhe në verdikt të final nga Gjykata e Apelit çfarëdo që të jetë ai. Z. Lekaj pavarësisht se është i respektuar nga shumë qytetarë ai tani është subjekt i drejtësisë dhe nuk e ndihmon as vehten as AAK-në me aktivitet politik”, ka shkruar Arifi në Facebook.