Avni Bytyçi jep dorëheqje nga pozita e zëdhënësit të PDK-së
Avni Bytyçi ka bërë me dije se ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëdhënësit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Bytyçi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se tani e tuje do të punojë me ekipin mbrojtës të Kadri Veselit, i cili gjendet në paraburgim në Hagë.
“Gjatë muajve në vijim unë do të punojë ngushtë me ekipin mbrojtës të z. Veseli në Hagë. Për të ruajtur parimin e mos ndërhyrjes, paanshmërinë dhe për të siguruar që puna ime nuk konsiderohet ndërhyrje politike në asnjë formë, e pas një bisede të shkurtër me z. Veseli, po tërhiqem nga çdo funksion dhe pozitë që kam në Partinë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Bytyçi.
Postimi i plotë i Bytyçit:
Të nderuar anëtarë dhe votues të Partisë Demokratike të Kosovës,
Para disa ditësh, pas një diskutimi të gjatë me kryetarin në Detyrë z. Hoxhaj, kam kërkuar nga ai që të më lirojë nga detyra e zëdhënësit të partisë në fund të këtij muaji. Jam mirënjohës për mundësinë që më është dhënë, të qenit zëdhënës i një partie kaq të madhe, me traditë e shumë vlera, është një privilegj që shumë pak e kanë pasur fatin ta kenë. Jam thellësisht falënderues për hapësirën që më është dhënë në PDK, përkrahja nuk më ka munguar asnjëherë, në asnjë nivel. Përkundrazi unë gjithmonë jam gjendur në një mes të njerëzve të cilët më kanë motivuar për të ecur përpara.
Mirëpo, rrugëtimi im në politikë është shkurtuar pa dëshirë nga rrethanat në të cilën gjinden themeluesit e shtetit të Kosovës dhe ish-kryetari i Partisë, z. Veseli. Gjatë muajve në vijim unë do të punojë ngushtë me ekipin mbrojtës të z. Veseli në Hagë. Për të ruajtur parimin e mos ndërhyrjes, paanshmërinë dhe për të siguruar që puna ime nuk konsiderohet ndërhyrje politike në asnjë formë, e pas një bisede të shkurtër me z. Veseli, po tërhiqem nga çdo funksion dhe pozitë që kam në Partinë Demokratike të Kosovës.
Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë, më vjen sinqerisht keq që po largohem në këto rrethana në të cilat gjendet partia, megjithatë nuk mund të mohoj se për mua personalisht, edhe po besoj për shumë të tjerë, beteja ligjore për pafajësinë e themeluesve të UÇK-së në Hagë, është betejë më e rëndësishme se sa karriera ime personale, besa edhe vet fati im në politikë.
Rruga e jetës është shumë interesante, ka qenë rastësi takimi im i parë me Kadri Veselin, por jo edhe rrugëtimi im në politikë përkrah tij.
Po ajo që më bën krenar, është që i kam qëndruar besnik parimeve të ndershmërisë, mos mashtrimit dhe përkushtimit për përgjegjësitë, detyrat dhe zotimet e mia. Në anën tjetër më vjen keq që ndoshta nuk kam ditur të punojë më mirë e të bëj më shumë.
Dëshiroj të falënderoj z. Hoxhaj dhe tërë kryesinë e Partisë Demokratike të Kosovës për kujdesin dhe respektin e treguar, kolegëve të mi në parti, ju jam mirënjohës nga zemra për këshillat, mbështetjen dhe bashkëpunimin.
Jam falënderues po ashtu ndaj gazetarëve, medieve edhe anëtarëve të shoqërisë civile me të cilët kam bashkëpunuar, ju uroj nga zemra vetëm suksese e shpresoj se do të takohemi prapë në rrethana tjera.
Në fund, shpreh falënderim të veçantë për familjen time edhe miqtë që kanë treguar gjithmonë durim për mungesën time për shkak të angazhimeve, jam mirënjohës që gjithmonë më kanë qëndruar pranë.
Faleminderit PDK!