Avokatët e Thaçit dhe Veselit: Prokuroria e Speciales nuk po na jep informacionet e plota
Në Gjykatën Speciale në Hagë është duke u mbajtur seanca e radhës gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Pierre-Richard Prosper, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçit, në fjalën e tij ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është duke ua dhënë informacionet e plota.
Në këtë kontekst, ai ka kërkuar që prokuroria të jep informacione më të detajuara.
“Siç u theksua nga ZPS-ja, informacioni nuk është i plotë dhe ka informacion që mungon. Ka informacione që nuk na janë vënë në dispozicion. Ne po mundohemi që të analizojmë informacionin, por besojmë që duhet të jepet më shumë. Informacioni është i një cilësie shumë të keqe dhe i palexueshëm”, ka thënë ai.
Në të njëjtën linjë ishte edhe avokati i Kadri Veselit, Nick Kaufman. Ai ka thënë se Prokuroria e Specializuar nuk është duke e kryer punën e saj.
“Në lidhje me këtë çështje, dua që të shikoni paragrafin 2 të parashtrimit që kemi bërë dje. Është thelbësore që të kemi dosjen paraprake dhe nuk ka zëvendësim për të. Ne kemi komunikuar me ZPS-në për çështjen e konfidencialitetit. ZPS-ja ka thënë se masat kundërbalancuese ende nuk janë përfunduar. Duket se nuk është bërë asnjë përparim nga ZPS-ja për kryerjen e detyrave të saja në lidhje me materialet bazë për provat shfajësuese. Në lidhje me meta të dhënat që kemi kërkuar, ato s’kanë për qëllim që të dëmtojnë konfidencialitetin, por e ndihmojnë mbrojtjen që ta dijë sa materiale ka prokuroria dhe sa do t’i jepen mbrojtjes”, ka deklaruar Kaufman.
Më tutje, ai ka thënë se prokurorët pa të drejtë kanë një tendencë që mos ua japin provat.
“Ka një tendencë nga shumë prokurorë dhe hetues që të provojnë dobishmërinë e provave të tyre dhe duke mos pasur një fushë-pamje, nuk i japin duke thënë se nuk janë të nxjerrshme. Pra të përmendesh rregullën 107 nuk është e pranueshme. Duke pasur që të gjitha këto parasysh, mbrojtja kërkon që t’i ketë meta të dhënat. Ne kërkojmë nga ju gjykatës që të urdhëroni ZPS-në të jap sa më shpejtë të dhënat e rregullës 107 dhe numrin e materialeve”, është shprehur Kaufman.