Avokatët e Thaçit e Veselit: Prokuroria po i shkel rregullat e përcaktuara
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar konferenca e gjashtë statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, në seancën e sotme në Gjykatën Speciale është shprehur i habitur me zvarritjet që Prokuroria po i bën rastit.
“Ne shprehim shqetësimin tonë për dëshmitarët e ardhshëm shtesë për të cilët do të kërkohen masa mbrojtëse”, ka thënë ai.
Kurse avokati i Kadri Veselit, Nicho Kaufman, ka pohuar se Prokuroria po i shkel të gjitha rregullat e përcaktuara dhe materialet e dorëzuara pas datës nuk duhet të pranohen.
“Nuk është kjo një mënyrë e zellshme e kryerjes së punës nga ZPS-ja, kjo është mënyrë nga paniku. Zonja Losson paraqiti faktin se ka dorëzuar shumë dokumente, por s’e ka përmendur faktin që këto i ka dërguar më 30 qershor. Unë them që kjo është një mjegullim i materialeve që e ka karakterizuar ZPS-në në kohë. Ndryshimet e afateve nuk janë të drejta. ZPS-ja duhet të sqarojë që masat mbrojtëse të propozuara më 3 korrik janë në kundërshtim me rregullat. Ju kërkojmë që t’ua bëni të qartë Prokurorisë që nëse ata i shkelin afatet, materialet që i dorëzojnë më vonë nuk do të pranohen. Ata po flasim për kërkesa të ndryshime të masave, çfarë janë këto, sa janë këto kërkesa, kur janë bërë? Kjo mënyrë e paqartë e kërkesave nuk është mënyra e duhur”, ka deklaruar Kaufman, duke theksuar se dëshmitarët të cilët janë përcaktuar pas afatit, nuk duhet të lejohen në procedurë.