Avokatët zbulojnë se njëri nga gazetarët serb që ishte ndaluar nga UÇK-ja dyshohej për krime lufte

11 shtator 2023 | 15:13

Pas një jave të plotë ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit Fred Abrahams. Ai edhe të hënën është marrë në pyetje lidhur me raportet e tij si punëtor i Human Rights Watch (HRW), ku mbrojtja ka pretenduar se ka gjetur disa detaje kontradiktore.

Në vitin 1998, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin ndaluar dy serbë të cilët pretendonin se ishin gazetarë. Megjithatë, më pas është kuptuar se njëri prej tyre ishte i dyshuar për krime lufte në Bosnjë. Për këtë, nuk ishte në dijeni as hulumtuesi i HRW-së, Fred Abrahams.

Për këtë rast, Abrahams është përballur me pyetje nga avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe.

“Hetuesit e Tribunalit të Hagës dolën në pretendimin se gazetari ka qenë i përfshirë në kryerjen e krimeve të luftës në Kroaci sikur pjesëtarë i shtypit. Nëse HRW e ka ditur këtë informacion ju duhet të kishit pasur dyshime nëse Dobriqiq ka qenë gazetar kur është ndaluar?”,  ka pyetur avokati Keohe.

“Duhet parë në dy forma. Është dijenia nëse ne do ta merrnim parasysh në analizën tonë krimet e pretenduara të tij, dhe kritika që kemi bërë ne këtu ishte fokusuar në faktin se a ka pasur proces të rregullt ligjor. Nëse do të kishte prova që ka kryer vepra penale në Kosovë apo gjetkë, kjo do të duhej të kishte dalë në gjykim”, është përgjigjur dëshmitari Abrahams.

Avokati Keohe ka gjetur një element tjetër, i cili është kontradiktor në raportin e Abrahamsit.

“Ky është njoftim për shtyp nga Human Rights Watch. Ka dalë më 1 nëntor 1998, 9 ditë para se të uleshit me Thaçin e Limajn dhe këtu flitet për gjykatën ushtarake. Këtu thuhet se gjykimi u krye më 30 shtator 1998. Thuhet se gjykimi është mbajtur më 30 shtator 1998. Ju e dini këtë sepse e keni vendosur në njoftim për shtyp. Ky njoftim ka informacion të plotë për një nga elementët më të rëndësishëm kur janë mbajtur të ndaluar këta persona”.

“Kemi një gjykim që është kryer dhe kjo thuhet në provën materiale 19 ditë përpara humbjes. Supozohet që nuk është bërë gjykimi ditën që u ndaluan?”, ka thënë avokati i Thaçit.

Një tjetër kontradiktë që Keohe ka thënë se e ka gjetur është një deklaratë e Thaçit për strukturat civile, të cilat në raportet e Abrahamsit citoheshin si struktura ushtarake.

“Jemi në një situatë që është bërë një gjykim kur këta persona nuk ishin të ndaluar ende, dhe kjo është bërë nga gjykata ushtarake sipas njoftimit. Ndërkohë Thaçi ju flet për strukturat civile?”, ka thënë Keohe.

“Kemi dy pjesë mohuese. Se kisha të qartë. Unë po merrja informacione po botoja materiale që na jepnin, nuk mund të them nëse dokumentet janë të sakta. Këtë nuk e di”, është përgjigjur Abrahams.

Në pyetje dëshmitari Abrahams është marrë edhe nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson. Abrahams ka deklaruar se në fillim UÇK-ja ishte tërësisht e paorganizuar.

“Udhëtimin e parë që pata në Kosovë në 1998, qershor. Në atë kohë vumë re një mungesë të lartë organizimi, shihnim anëtarë të UÇK-së pa uniforma, dhe kishte dallime në pjesë të ndryshme të rajonit. Më pas nga shtatori vërejtëm një ndryshim, kishte më shumë uniformitet, koherencë. P.sh kur pamë policinë ushtarake në Drenicë, filluan të dilnin urdhra për gazetarët për hetuesit e të drejtave të njeriut”,  ka thënë Abrahams.

Dëshmitari është pyetur e cilët persona vlerësoheshin si bashkëpunëtorë të regjimit.

“P.sh kishte raste kur personat që nuk e ndihmonin UÇK-së konsideroheshin tradhtarë. Gjithashtu edhe persona p.sh që punonin në universitet, kur të gjithë të tjerët ishin përjashtuar nga puna”, ka thënë ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll në rërë i ka luajtur…