Avokati amerikan i Veliajt nuk lejohet në seancë

11 mars 2025 | 13:11

Avokati amerikan, Joshua Roberts nuk është lejuar të hyjë në seancën e Apelit që po zhvillohet për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.

Roberts mbërriti në kohë dhe u pa të hynte në godinën e Gjykatës së Posaçme, por ai nuk është lejuar të jetë pjesë e publikut vëzhgues në këtë seancë.

“Emri im është Joshua Roberts, jam partneri i një studioje ligjore amerikane që këshillon kryetarin (Erion) Veliaj dhe jemi në dijeni për arrestin e tij prej datës 10 shkurt”.

Me këtë fjali, u prezantua para mediave të pranishme, Joshua E. Roberts, i cili punon për studion ligjore Kasowitz Benson Torres, duke mos harruar të thoshte se vinte thjesht “në rolin e vëzhguesit”.

Fill pas kësaj, avokati nisi të listojë veçoritë e sistemit amerikan të drejtësisë, duke harruar në fakt se çështja e kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj është penale dhe puna e tij në studio është e fokusuar në “çështjet gjyqësore komplekse tregtare”.

Referuar faqes zyrtare të firmës ligjore, bëhet me dije se Roberts përfaqëson “firmat e kapitalit privat, institucionet financiare, korporatat e tregtuara publike, individë me vlerë të lartë neto, drejtues dhe anëtarë të bordit në mosmarrëveshje komplekse dhe me risk të lartë në gjykatat federale dhe shtetërore”.

“Jam këtu thjesht në rolin e vëzhguesit. Në Amerikë, sipas Kushtetutës dhe ligjit, akuzat dhe veprat penale ngrihen në bazën e një shkaku të arsyeshëm kur të jetë kryer një krim. Dhe qytetarët që përballen me akuza penale mund të ndalohen para gjyqit vetëm nëse paraqesin rrezik për shoqërinë”, deklaroi ndërkaq para mediave avokati “transaksional” amerikan.

Ai do të jetë të martën në seancën e Apelit të Posaçëm për Veliajn, në stolin e vëzhguesit pa qartësuar asgjë për rolin e tij në vijim të gjyqit pasi dihet që avokati amerikan është mësuar të trajtojë aspekte të ndryshme të çështjeve gjyqësore civile.

Përmes një reagimi publik, vëllai i Erion Veliajt, Arbër Veliaj deklaroi se ishte ai “garanti financiar” për angazhimin e “një studioje ligjore amerikane”.

“Në këtë kontekst, sqaroj publikisht se jam unë garanti financiar për angazhimin e një studioje ligjore amerikane, e cila do të sigurojë konsulencën dhe strategjinë për mbrojtjen juridike të vëllait tim, dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranes, Erion Veliajt. Ky veprim përveçse në lidhjen time të pandashme me tim vëlla, bazohet në bindjen time të plotë për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtës dhe të së vërtetës”, shkruan ai.

Seanca

Gjykata e Posaçme e Apelit regjistroi më herët kërkesën e ankimimit të avokatëve të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe katër personave të tjerë nën hetim për ndryshimin e masës së sigurisë.

Në një njoftim të Apelit njoftohet se shorti është hedhur më datë 4 mars, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal.

Trupi gjykues monokratik, referuar shortit, përbëhet nga gjyqtari Engert Pëllumbi.

Më herët, Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së për sekuestrimin e sendeve (përfshirë telefonin personal – ed.) të bashkëshortes së Veliaj, Ajola Xoxa.

Shqyrtimi i ankimit të Xoxës u bë gjithashtu nga gjyqtari Engert Pëllumbi, pas tërheqjes së gjyqtares Iliriana Olldashi.

Për Xoxën, është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa ajo kishte kërkuar më herët kthimin e telefonit të saj të sekuestruar gjatë hetimeve.

Veliaj – njëherazi bashkëshorti i saj – aktualisht ndodhet në “arrest me burg”.

Xoxës iu sekuestrua telefoni gjatë kontrolleve nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në banesën e saj më 6 dhjetor të vitit të kaluar.

Ndërtimi i ngjarjes

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të bastisnin rreth orës 14:00 zyrat e Bashkisë Tiranë më 10 shkurt.

Në duar mbanin një urdhër gjykate, të firmosur nga gjyqtari Erion Bani.

Ai ishte urdhëruar nga SPAK-u, dosje që po hetohet nga prokurori Ols Dado, për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Më vete, ata shoqëruan Veliajn nga dera që përdoret zakonisht për vizitat formale në administratën e kryeqytetit.

Pesë biznesmenë janë vendosur po ashtu nën masën e detyrimit të paraqitjes nga Prokuroria e Posaçme.

GjKKO-ja ka dhënë “detyrim paraqitje” për biznesmenët: Gentian Sula; Meriman Palushi; Fatmir Bektashi; Sokol Kryeziu; Shkëlqim Fusha.

Në pranga përfundoi edhe biznesmeni Elman Abule, i cili është i lidhur ngushtë me Veliajn.

Madje, SPAK zbuloi gjithashtu se po kryen hetime paraprake ndaj deputetes socialiste Klotilda Bushka.

SPAK doli me një njoftim zyrtar për shtyp rreth arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, duke sqaruar edhe arsyet.

Veliaj dyshohet se ka miratuar shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të, përfaqësuesit e të cilëve janë përmendur më lart.

Erion Veliaj së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa “kanë ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm”, vëren fillimisht SPAK.

Përmes këtij të fundit, është synuar dhe është bërë e mundur, në praktikë, “marrja e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë përmes Veliajt, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme”.

SPAK-u shton se në të paktën dhjetë raste, krijohet “dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive” nga Veliaj, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Çfarë ka bërë Xoxa me to ndërkaq edhe më flagrante, pasi SPAK-u raporton se në një periudhë prej katër vitesh, ajo ka bërë blerje online, të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj., në masën 86 milionë e 721 mijë e 175 lekë.

Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të.

Vlera e konvertuar në euro kap shifrën prej mbi 860 mijë eurosh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të martën (sot) zhvillohen ndeshjet e fundit apo të xhiros…