Avokati Berisha tregon arsyen pse u intervistua nga Specialja Rilind Berisha
Avokati Besnik Berisha ka bërë me dije se klienti i tij Rilind Berisha është intervistuar nga Prokurori i Specializuar në cilësinë e dëshmitarit dhe ekskluzivisht lidhet me fushëveprimtarinë e zyrës që koordinon procesin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave që mund të jenë të akuzuar potencial nga Gjykata Speciale.
“Z. Berisha ka përmbushur detyrimin e tij qytetar për t’iu përgjigjur ftesës së Prokurorit të Specializuar dhe njëjtë do të veprojë edhe në të ardhmen, nëse veç paraqitet ndonjë kërkesë e tillë”, ka shkruar avokati Berisha në llogarinë e tij në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Për ata që u intereson në cilësinë e avokatit të z. Rilind Berisha
Duke parë interesimin e medieve për arsyen e ftesës së z. Rilind Berisha nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe me qellim të evitimit të pasaktësive të cituara deri më tani, sqarojmë se:
Rilind Berisha nuk është ftuar e as marrë në pyetje nga Prokurori i Specializuar për asnjë shkelje ligjore e as për rrjedhën e informacionit në mënyrë të jashtëligjshme siç është raportuar në media.
Intervistimi i z. Berisha nga Prokurori i Specializuar është bërë në cilësinë e dëshmitarit dhe ekskluzivisht lidhet me fushëveprimtarinë e zyrës që koordinon procesin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave që mund të jenë të akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara.
Berisha ka përmbushur detyrimin e tij qytetar për t’iu përgjigjur ftesës së Prokurorit të Specializuar dhe njëjtë do të veprojë edhe në të ardhmen, nëse veç paraqitet ndonjë kërkesë e tillë. Faleminderit!
/Epoka e re/