
Avokati Besnik Berisha: Aktakuza për hidrocentralet, një aktakuzë koti
Avokati Besnik Berisha ka reaguar ndaj ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale kundër nëntëmbëdhjetë personave për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, përfshirë ish-ministra si Mimoza Kusari-Lila, Besim Beqaj, Nenad Rashiq dhe Dardan Gashi.
Berisha ka thënë se kjo aktakuzë është koti, pas sipas tij, ka zero prova në këtë rast.
“Edhe një aktakuze koti, mos thoni mandej nuk ju kam tregu; Dështimet e shumta të Prokurorisë Speciale deri më tani, duket se nuk paskan qenë të mjaftueshme që prokurorët të marrin leksion për të shmangur ngritjen e aktakuzave që dështimin e kanë të garantuar. Nga ajo që kam parë dhe lexuar nga ky rast në fazën e hetimeve, jam i bindur se edhe aktakuza për hidrocentralet është një aktakuzë koti, me zero prova inkriminuese dhe se epilogu i saj është vetëm dështimi”, ka shkruar Berisha në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se koha për ta sanksionuar abuzimin me diskrecionin e ngritjes së aktakuzave, përkundër mungesës së provave. “Derisa kjo nuk ndodhë, jo vetëm që qytetarët do të dëmtohen, por edhe kredibiliteti i institucioneve të drejtësisë do të vazhdojë të rrënohet”, ka deklaruar avokati Berisha.
/Epoka e re/