Avokati Besnik Berisha përjashtohet nga gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt
Avokati Besnik Berisha është përjashtuar nga gjykimi në rastin ku Shaban Gogaj po akuzohet për vrasjen e tani të ndjerit, Agonis Tetaj.
Vendimin për përjashtimin e tij e mori gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, pasi avokati Berisha i është drejtuar trupit gjykues me fjalët “paragjykues të çështjes penale”.
Këtë deklaratë, ai e ka bërë pasi gjykatësja Husaj-Rugova ia ndaloi atij pyetjen drejtuar dëshmitarit Agron Hasanaj, në gjykimin ndaj Gogajt, i cili është duke u mbajtur në Gjykatën e Pejës.
Fillimisht, për këtë ai është dënuar me 500 euro gjobë, për çka, avokati Berisha nuk ka ngelur i befasuar e duke u shprehur me fjalët “shyqyr që ekzistojnë shkallët e tjera”.
Pas kësaj, gjykatësja Husaj-Rugova mori aktvendim për përjashtimin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Deri te ky vendim, trupi gjykues ka ardhur pasi që mbrojtësi në vazhdimësi ka prolonguar çështjen, duke konstatuar në procesverbal që si beson trupit gjykues dhe këtë çështje asnjëherë se ka adresuar tek organi përkatës. I është tërhequr vërejtja, mirëpo praë ka vazhduar dhe pasi është dënuar me gjobë ka konstatuar se nuk i beson këtij trupi gjykues”, tha gjykatësja Husaj-Rugova.
Lidhur me këtë, gjykatësja Husaj-Rugova e njoftoi të akuzuarin Gogaj që të angazhoj mbrojtës tjetër brenda afatit prej një muaji.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.
Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e reperton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.
Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr, më pas menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.
Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.
Kurse, sipas aktakuzës që ishte ricilësuar më 16 mars 2021, nga prokurori Agon Uka, Shaban Gogaj akuzohej se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:05:31, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj Ag”, nga pakujdesia i pandehuri Gogaj, e privon të ndjerin nga jeta, Agonis Tetaj.
Sipas ricilësimit, gjersa i pandehuri ishte duke komunikuar në telefon me Natyra Melaj, vajzën e hallës rreth shkuarjes së tij në bjeshkë, duke e porosit që të merrte gjësende ushqimore, posa e përfundon këtë bisedë, e lëshon telefonin në tavolinë, nga karrika në skajin e majtë të banakut ku ishte ulur, kalon në karriken tjetër që gjendet në mes të banakut, lakohet duke shikuar në anën e djathtë kah dritaret në drejtim të rrugës dhe nxjerr nga sirtari i tretë i anës së djathtë, revolen e llojit “Beretta”, Model 92 FS, e vendos karikatorin në armë, e reperton të njëjtën dhe shkrep një herë në drejtim të, Asgan Hadërgjonaj, Agonis Tetaj e Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë në distancë rreth 70 cm në mes vete, ndërsa në raport me të pandehurin distance ka qenë 4-5 metra,
Nga kjo shkrepje, sipas prokurorit Uka, goditet tani i ndjeri Agonis Tetaj në mollëzën e djathtë të fytyrës, e pas këtij veprimi i akuzuari kthen armën ku e ka marrë duke e kap kokën me dy duart, duke menduar se ka shkrep me armën me gaz, për të cilën paraprakisht e ka njoftuar xhaxhi i tij, Isuf Cacaj, se arma me gaz ndodhet aty.
Sipas aktakuzës që ishte ricilësuar nga prokurori Uka, i akuzuari këtë veprim nuk e ka dëshiruar as pasojën e shkaktuar, përkatësisht pasoja shkaktohet kundër vullnetit të tij, si rezultat i moskujdesit apo indiferencës apo jo seriozitetit të tij, ashtu që përkundër përpjekjeve për ofrimin e ndihmës, tani të ndjerit Agonis, i njëjti nuk ka mundur të mbijetoj plagës. /BetimipërDrejtësi