Avokati Gashi: Prokuroria po e pengon punën në rastin Dehari
Avokati i familjes së Dehari, Tomë Gashi, ka thënë se prokuroria është duke u vonuar në rastin e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
Gashi ka thënë se ky institucion është duke vepruar në mënyrë selektive.
Madje, Gashi ka thënë se prokuroria nuk është duke e lejuar ta kryejë punën e avokatit, pasi s’është lejuar të hënën të jetë prezent gjatë intervistimit të ministres Albulena Haxhiu. Ai ka folur edhe për mundësinë e ankesës ndaj prokurorit Afrim Shefkiu.
“Prokurori duket se i ka arsyet e veta për të cilat ne do të kërkojmë sqarime. Pas takimit me familjen e Astritit do të shohim a do t’i drejtohemi Këshillit Prokurorial apo a do të ankohemi ne sepse është e patolerueshme të veprojë në mënyrë të tillë. Po i bie se prokurori mund të ketë arsye të tjera për të cilat neve nuk na njofton që në prizmin tim është duke i shkelur dispozitat ligjore”.
“Prokuroria për arsye të panjohura po vepron në mënyrë selektive sepse me dhjetëra dëshmitarë që janë marrë në pyetje në këtë ndërtesë, i ka lejuar dhe ka kërkuar të jem pjesëmarrës, ndërsa në raste të caktuara shumë të ndjeshme s’ka lejuar”.
“Rasti i Astrit Deharit është më i dhimbshmi në Kosovën e pasluftës. Prokuroria fatkeqësisht s’po lejon që ta kryejmë punën tonë si avokat, respektivisht si përfaqësues juridik të familjes së Astrit. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, do të sqarojë dhe do t’iu përgjigjet pyetjeve konkrete që prokuroria e ka autorizuar policinë”, ka thënë Gashi para medieve. /EO