Avokati i akredituar i Speciales: Krasniqi dhe Selimi do të lirohen të pafajshëm
Ani pse kanë kaluar gati dy vjet që kur ish-eprorët e UÇK-së janë duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, prokuroria po e zvarritë procesin e dorëzimit të provave për të akuzuarit.
E gjithë kjo, sipas avokatëve të akredituar të Speciales po ndodh për shkak të mungesës së këtyre provave që dëshmojnë fajësinë e tyre.
Avokati Skender Musa ka thënë se Specialja ka shkresa që kanë pranuar nga Serbia, por që nuk përputhen me realitetin.
Por, kjo vonesë nga ana e prokurorisë, sipas avokatit Musa i dëmton të akuzuarit.
“Vet fakti që nuk dorëzohen provat më herët, e pengon procesin gjyqësorë, e pengon përgatitjen e mbrojtjes, nuk mundem me thënë që ka ndonjë qëllim të caktuar nga ana e Prokurorisë edhe e Gjykatës Speciale, mirëpo e dëmton jashtëzakonisht mundësinë e mbrojtjes për t’u përgatitur, edhe i dëmton të akuzuarit, dhe si pasojë e kësaj gjykata e vazhdon paraburgimin duke pretenduar se ekziston mundësia për të ndikuar në prova edhe në dëshmitarë”, ka thënë ai për “Front Online”.
Musa ka thënë se kjo gjykatë do të dështojë, ku edhe do të përfundojë me lirimin e të akuzuarve.
“Unë mendoj se kjo gjykatë do të dështojë. Nëse ka drejtësi edhe nëse vendoset në bazë të provave ligjeve, mendoj se epilogu ka me qenë lirimi i të akuzuarve të pafajshëm, po flas për Jakup Krasniqin, dhe Rexhep Selimin që i kam përcjell më shumë. Mendoj që ka me qenë vendimi përfundimtar lirues, për shkak që këto prova që deri tash kanë pretenduar që ekzistojnë edhe që janë shpalos publikisht, realisht nuk ka bazë as me iniciuar si rast penal e lëre me arrestuar e me ngre aktakuzë për dikë”, ka thënë ai.