
Avokati i familjes Lika: Mos spekuloni për vrasjen e rreshterit, nuk është konstatuar se kemi të bëjmë me ndonjë grup terrorist
Arianit Koci, në cilësinë e avokatit të familjes së rreshterit Muhamet Lika, ka bërë thirrje që të gjithë të përmbahen nga deklaratat dhe komentet e pabazuara në fakte lidhur me vrasjen e policit.
Koci tha se vrasja e policit ka qenë makabre teksa pohon se “as Policia, as Prokuroria nuk kanë konstatuar se kemi të bëjmë me ndonjë grup terrorist apo me ndonjë vepër me motive religjioze. Deri më tani, nuk ka asnjë cilësim zyrtar të tillë”.
Gjithsesi, ai thotë se “nëse gjatë hetimeve del ndonjë informatë e re që ndërlidhet me ndonjë grup të tillë, patjetër se opinioni publik do të informohet”.
Postimi i tij i plotë:
Deklaratë për opinionin publik
Në cilësinë e avokatit të familjes së policit të ndjerë, rreshterit Muhamet Lika, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve – përfshirë mediat – që të përmbahen nga deklarimet dhe komentet që nuk bazohen në fakte apo deklarata zyrtare.
Drejtësia nuk lejohet të ngatërrohet me hamendje, as me interpretime personale.
As Policia, as Prokuroria nuk kanë konstatuar se kemi të bëjmë me ndonjë grup terrorist apo me ndonjë vepër me motive religjioze.
Deri më tani, nuk ka asnjë cilësim zyrtar të tillë.
Nëse gjatë hetimeve del ndonjë informatë e re që ndërlidhet me ndonjë grup të tillë, patjetër se opinioni publik do të informohet.
Sidoqoftë – një gjë është e qartë: kjo ka qenë një vrasje makabër. Kryesit dhe ata që e kanë planifikuar këtë krim do të përgjigjen para ligjit dhe do të dënohen ashtu siç e meritojnë.
Sulmi ndaj policit është sulm ndaj shtetit të Kosovës. Është sulm ndaj të gjithëve neve.