Avokati i Gucatit: ZPS-ja s’po i thërret personat që thuhet të jenë përgjegjës për koordinimin e hetimit
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati, avokati i këtij të fundit ka lexuar transkriptin e intervistës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me personin, targat e veturës të të cilit ishin parë pranë zyrës së organizatës në kohën e dorëzimit të dokumenteve.
Ai ka pyetur dëshmitaren e ZPS-së, hetuesen Zenka Pumper nëse i është kërkuar të bëjë hetime rreth kredibilitetit të personit në fjalë, por e njëjta e ka mohuar një gjë tillë.
Avokati Rees: Zonja Pumper, kush është në dijeni brenda ZPS-së dhe është përgjegjës për të sjellë në vëmendje prokurorit të specializuar materialet që mund të sugjerojnë pafajësinë apo zbutjen e fajësisë së të akuzuarve, ose cenojnë kredibilitetin dhe besueshmërinë e provave të prokurorit të specializuar?
Dëshmitarja Pumper: Do t’ju referoj te zëvendësprokurori i specializuar dhe prokurori i specializuar.
Avokati Rees: Zonja Pumper, sado të talentuar e punëtorë që janë zëvendësprokurori i specializuar dhe prokurori i specializuar, dhe nuk kam dyshim për këtë, ata nuk janë përgjegjës, apo jo, për hetimin e çështjeve që në fillim?
Pyetjet e avokatit Rees janë kundërshtuar nga prokuroja Valeria Bolici duke thënë se janë të përsëritura dhe se dëshmitarja po pyetet rreth një intervistë pjesë e së cilës nuk ka qenë.
Avokati Rees: ZPS nuk po thërret në gjykim personat, të cilët thuhet se janë përgjegjës për koordinimin e hetimit të çështjes së OVL-UÇK-së.
“Ajo është një hetuese me përvojë prej 20 vjetësh, ajo ka luajtur një rol në këtë hetim për çka të kufizuar siç thotë ajo, dhe nuk kemi mënyra të tjera si t’i qasemi këtij materiali, sepse ZPS nuk po thërret personat të cilët thuhet se janë përgjegjës për koordinimin e këtij hetimi, kështu që unë synoj ta bëj këtë dhe nëse e ka të nevojshme të kalojmë në seancë private, atëherë ta bëjmë në seancë private”, ka thënë avokati Rees.
Kundërshtimi në pyetje ka bërë që avokati Rees të kërkojë largimin e dëshmitares nga salla përkohësisht, në mënyrë që të shpjegojë për trupin gjykues rëndësinë që kanë pyetjet e tij në këtë proces.
“Nëse dëshmitarja thotë që nuk ka dijeni për këtë, kjo nuk do të thotë që unë duhet ta pranoj. Unë kam të drejtë të vazhdoj më tej, sepse mund t’i drejtohem trupit gjykues në momentin e duhur lidhur me çështjen nëse ju mendoni se ishte e besueshme që Pumper, koordinatore e hetimeve që ka 5 vjet që punon në Zyrën e Prokurorisë që kur filloi ka kryer një kontroll, të cilin do ta trajtojë, e cila ka punuar për TFHC përpara dhe ka shumë vite përvojë që më parë nga puna e saj në forcat moderne evropiane policore, të mohojë se nuk ka dijeni për qasje sistematike ndaj problemit të nxjerrjes së materialeve. Unë mund t’u drejtohem dhe t’u them që kjo është plotësisht e pabesueshme”, ka thënë avokati Ress.
Ndër të tjera, gjatë dëshmisë së saj, hetuesja e ZPS-së, Zenka Pumper ka thënë se dokumentet e paketës 1 dhe paketës 3 ishin kopje.
Koordinatorja e hetimeve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Zenka Pumper po vazhdon dëshminë e saj në ditën e katërt me radhë.