Avokati i Kadri Veseli thotë se Nazim Bllaca ka vdekur
Gjatë seancës së sotme, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka zbuluar diçka të paditur deri sot.
Ai ka thënë se Nazim Bllaca ka vdekur. Nuk dihet nëse këtë e tha gabimisht, por dihet se si informatë u dha vetëm sot.
“Prokuroria vazhdon të mbështetet tek një dëshmitar, Nazim Bllaca, i cili ka vdekur. Kishte informata që ka qenë aset serb, i paguar nga Serbia”, tha Emmerson.
Nazim Bllaca ishte vetëdeklaruar si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).
Ai ishte bërë veçanërisht i njohur në vitin 2009, kur publikisht, para mediave, kishte deklaruar se kishte kryer vrasje për llogari të kësaj organizate.
Ky deklarim i tij kishte bërë jehonë të madhe asokohe dhe menjëherë ishte marrë nën mbrojtjen e EULEX-it, si dëshmitar i mbrojtur.
Në këtë cilësi, Nazim Bllaca u largua nga Kosova dhe vendndodhja e tij nuk dihet.