Avokati i Kadri Veselit: E gjithë UÇK-ja po atakohet si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka thënë se ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës po akuzohet vetëm për faktin se ka qenë pjesë e udhëheqësisë së UÇK-së.
Emmersoni në seancën gjyqësore në Gjykatën Speciale ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është duke e ngarkuar Veselin me akuza, duke i dhënë atij përgjegjësi për çdo person që ka veshur uniformën e UÇK-së, pavarësisht kohës.
“Siç është thënë edhe në dosjen paraprake të ZPS-së, sa i takon akuzës kundër klientit tim (Kadri Veseli), ajo është drejtuar vetëm për faktin se ai (Kadri Veseli) ka qenë pjesë drejtuese e UÇK-së”.
“Me fjalë të tjera, për shkak të rolit që ai (Kadri Veseli) ka pasur, prezumimi i Prokurorisë Speciale është që ai duhet të jetë përgjegjës për çdo person që ka pasur veshur uniformën e UÇK-së, në çdo kohë”, ka thënë Emmerson.
Madje avokati Emmerson, ka vlerësuar se ZPS-ja është duke e akuzuar të gjithë UÇK-në si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” dhe jo vetëm të akuzuarit në fjalë.
“Me fjalë të tjera, e gjithë UÇK-ja po atakohet si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’ dhe jo vetëm të akuzuarit”, ka thënë Emmerson në seancë.