Avokati i Krasniqit: Një dëshmitar ka thënë se i kujtohet që Rugova i është referuar UÇK-së si ‘lojë serbe’
Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, mbrojtësi i këtij të fundit, avokati Aiden Ellis, ka thënë të mërkurën në Gjykatën Speciale në Hagë se kanë dëgjuar një dëshmitar së fundi të thoshte se i kujtohet që presidenti Ibrahim Rugova kishte thënë në medie që Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte “lojë serbe”.
“Kemi dëgjuar një dëshmitar të thoshte që i kujtohet që Rugova është cituar të thoshte që UÇK-ja ishte një lojë serbe”, ka thënë Ellis.
Por, diplomati austriak Jan Kickert, i cili është duke vazhduar dëshminë edhe të mërkurën në Hagë, ka thënë se nuk i kujtohet një gjë e tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Ellis, i cili është duke e marrë në pyetje Kickertin është fokusuar në verën e vitit 1998 kur si pjesë e diplomacisë së jashtme dëshmitari po bënte përpjekje për të kontaktuar me përfaqësuesit e UÇK-së për të formuar një platformë të shqiptarëve të Kosovë që të përfshiheshin në negociata.
Ellis ka thënë se ka pasur deklarata nga anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që thoshin se UÇK-ja ishte “pjesë e ushtrisë serbe”.
“Ka pasur deklaratë nga LDK-ja nga disa anëtarë të LDK-së që thonin se UÇK-ja nuk ekzistonte si pjesë ose ishte pjesë e ushtrisë serbe, mbase”, ka thënë Ellis.
Pas kësaj, dëshmitari ka thënë se ka pasur mundësi që të ekzistonin fjalë të tilla pasi që në popullatën shqiptare ekzistonte frika e humbjes së monopolit politik që kishte LDK-ja.
“Jo që nuk ekzistonte se nuk më kujtohet kjo, por siç jam përpjekur të shpjegoj edhe dje, kishte një lloj loje politike në qoftë se mund të thosha kështu dhe kishte një lloj qasje që në popullatën shqiptare ekzistonte frika e humbjes së monopolit politik që e kishte LDK-ja dhe prandaj mund të qarkullonin fjalë të tjera”, ka thënë dëshmitari.
Përpara kësaj, dëshmitari ka thënë se disa nga anëtarët e LDK-së e mohonin ekzistencën e UÇK-së.
“Disa nga anëtarët e LDK-së e mohonin ekzistencën e UÇK-së, kjo është e vërtetë”, ka thënë dëshmitari.
Diplomati austriak, ka thënë se nga mesi i 1998-s e kishte kuptuar se Jakup Krasniqi kishte pozitën e zëdhënësit të UÇK-së. Ndërsa, para se të caktohet ai, dëshmitari ka thënë se në këtë pozitë ka qenë Bardhyl Mahmuti.
“Bardhyl Mahmuti, ka qenë një zëdhënës që punonte në Gjenevë, por gjithsesi nuk besoj që ka raportuar ai ndonjëherë përpara Grupit të Kontaktit”, ka thënë dëshmitari.
Dëshmitari ka pohuar se Ramë Buja dhe Jakup Krasniqi kanë qenë zyrtarë të LDK-së përpara se t’i bashkoheshin UÇK-së.
Ndërsa në takimin që kishte pasur me të akuzuarin, ish-diplomati austriak, ka thënë se ishte prezantuar me emër.
“Zotëri Krasniqi nuk kishte nofkë dhe thjesht ne po spekulonim se çfarë numri mund të kishte ai”, ka thënë Kickert.
Megjithatë, dëshmitari ka thënë se në atë takim që kishte pasur me Krasniqin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së, nuk besonte se tashmë i akuzuari mund të merrte vendime.
Në shënimet që kishte nxjerrë dëshmitari nga takimi me Jakup Krasniqin dhe të tjerët, ai kishte shkruar se dikush i kishte thënë “asnjëherë mos e pranoni listën e Milazim Krasniqit për t’u diskutuar’.
Për këtë, dëshmitari ka thënë se UÇK-ja po e mohonte faktin që Milazim Krasniqi të ishte drejtues i platformës shqiptare në Kosovë, pasi ai konsiderohej si afërt me Rugovën.
“Po, UÇK-ja përmes bashkëbiseduesve tanë, po e mohonin faktin që Milazim Krasniqi do të ishte drejtuesi i kësaj platforme në Kosovë sepse ai konsiderohej si shumë i afërt me Rugovën”, ka thënë ai.
Diplomati austriak ka shtuar se për këtë gjë kishte folur Jakup Krasniqi, por pa i përjashtuar edhe të tjerët.
“Me sa më kujtohet mua, për të folur ka folur Jakup Krasniqit. Ai ka qenë zëdhënësi. Nuk mund të them me përqindje se kush ka folur dhe sa për qind të takimit, por Jakup Krasniqi ka qenë një prej folëseve në këtë takim”, ka thënë ai.