Avokati i Lushtakut pas deklaratës së tij në prokurori: Ishte në vend të punës, për dallim nga Bislimi
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka përfunduar deklarimin në prokurori për rastin e djeshëm që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës.
Avokati i tij, Faton Fetahu, ka thënë se bëhet fjalë për veprën penale “sulm”, që prokurorja e rastit e ka ngritur ndaj Mërgim Lushtakut dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bisilmi, teksa ka shtuar se Lushtaku është edhe në cilësinë e të dëmtuarit.
“Mund të themi se Lushtaku ishte në vendin e tij të punës, për dallim nga Bislimi dhe anëtarët e tjerë të qeverisë. Ai u sulmua në vendin e tij të punës. Në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit, siç e dini, deputetët kanë imunitet nga ndjekja penale, nga paditë civile, për veprimet e tyre në kuadër të fushëveprimit të tyre si deputet”, ka thënë Fetahu.
Më tutje, avokati Fetahu ka shpjeguar rastin se si e ka paraqitur para prokurorisë, duke thënë se Lushtaku e pa si të nevojshme një veprim simbolik, pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka hequr një fotografi të Kurtit nga foltorja.
“Në rrethanat e rastit konkret, veprimi i tij ishte kundërpërgjigje ndaj skandalit që ka ndodhur dhe s’mori përgjigje Lushtaku dhe deputetët e tjerë dhe në tensionin që ata e reflektonin, e sidomos pas provokimit të situatës nga Bislimi që hoqi nga fotografinë e vendosur nga ana e deputetëve, si një rast i parë që një anëtar qeverie ndërhyn në sallën e kuvendit”.
“Atëherë në refleksion të tensionit që ai e transmetonte është vlerësuar e nevojshme një veprim simbolik, për të cilin ka imunitet Lushtaku dhe nuk është një veprim që cenon integritetin fizik të pjesëmarrësve të tjerë, mirëpo, fatkeqësisht nga ana tjetër nuk ishte përgjigja e njëjtë”, ka thënë Fetahu, duke shtuar se Lushtaku të gjitha veprimet e tij i ka bërë në vetëmbrojtje për ta parandaluar sulmin e atypëratyshëm, në mënyrë që të parandalojë një sulm ndaj tij apo kolegëve të tij.