Avokati i Muhaxherit: Kryetari dyshon se sulmi ka të bëjë me punën e tij zyrtare
Dukagjin Kerveshi, avokati i kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka dhënë detaje pas sulmit ndaj tij.
Kerveshi përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se kryetari i Pejës është sulmuar nga dy persona të panjohur.
Sulmi, Muhaxheri dyshon se ka të bëjë me punën e tij zyrtare.
“Në cilësinë e avokatit të Kryetarit të Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, njoftoj opinionin se sot rreth orës 8:40 në qytetin e Pejës në vendin e njohur si “Qendra Zejrare” pasi i njejti kishte pirë kafe me një familjar të tij, në largim e sipër, kryetari Muhaxheri ishte sulmuar nga dy persona fillimisht të panjohur. Sulmi kishte qenë i befasishëm. Kryetari Muhaxheri tashmë ka dhenë deklaratën në polici dhe se i njejti beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare.
Gjendja e Kryetarit është stabile. Duke besuar në efikasitetin e oragneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës presim që sulmuesit të ndiqen penalisht dhe të marrin dënimin e merituar!”, ka shkruar Kerveshi.