Avokati i Pal Lekajt: Aktakuza e pabazuar, nuk tregohet ku shkuan 53 milionët e famshëm

17 qershor 2022 | 12:49

Avokati i ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, Musa Damatim, ka deklaruar se mbrojtja qëndron në tërësi pranë kundërshtimeve të deponuara më herët.

Ai ka thënë se aktakuza kundër Lekajt nuk i përmbush kërkesat bazike ligjore dhe se është kundërthënëse.

Në deklarim të tillë, avokati Damati e ka bërë të premten në seancën e shqyrtimit të dytë derisa Pal Lekaj, ka thënë se nuk ka asgjë për të shtuar, por se e mbështet qëndrimin e avokatit të tij.

Avokati Damati ka thënë se  aktakuza e kundërshtuar nuk ka arritur që ta zgjidhë misterin se ku kanë mbetur ose ku ka përfunduar 53 milionëshi i famshëm, “në llogari të kujt kanë shkuar, në llogari të të mbrojturit tim assesi jo”.

Sipas tij, aktakuza nuk ka arritur as të bëjë gjurmimin e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Projekti i autostradës ‘Arbën Xhaferi’  sipas tij është themeluar dhe ka filluar me vendimin e qeverisë nr.06/78 të datës 12 qershor 2012, pra shumë kohë para se klienti im, ish-ministri Lekaj të merrte përgjegjësitë dhe mandatin e tij si ministër. Po ashtu, e gjithë rrjedha e procedurës nga i mbrojturi im, është procesuar përmes komitetit drejtues ndërministror, i cili nuk ka qenë i përbërë vetëm nga ministri i infrastrukturës, por nga gjithsej 5 ministra”, ka thënë avokati Damati.

Më 4 maj, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në rastin e “53 milionë eurove”.

Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare përveç Pal Lekajt janë edhe Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i Pal Lekajt, Nebih Shatri, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2021, kishte ngritur aktakuzë ndaj Lekajt dhe të tjerëve në rastin e 53 milionëve të autostradës.

Më tutje, avokati Damati ka thënë se kontrata e cila është objekt i aktit akuzues është nënshkruar me konsorciumin “Bechtel Enka” më 1 korrik 2014, shumë kohë para se klienti i tij të merrte mandatin e ministrit.

“Puna dhe procedimi i vendimmarrjes në këtë çështje ka qenë kolegjiale dhe jo individuale, ashtu siç pretendon Prokuroria. Ka qenë vendimmarrje në procedurë të hapur të votimit, për të cilat ekzistojnë transkripte”, ka thënë ai.

Sipas avokatit Damati, i mbrojturi i tij, si konsekuencë e veprimeve të trashëguara nga paraardhësit e tij, nga qeveritë e kaluara, ka qenë në një situatë në të cilën do të kishte rrezikuar arbitrazhin për Republikën e Kosovës dhe në këtë mënyrë vepra penale për të cilën ngarkohet, keqpërdorimi i detyrës apo autoritet zyrtar, do të mund të manifestohej edhe me mos veprim, duke i kushtuar buxhetit të shtetit edhe më tepër.

“Kërkesat e vazhdueshme të konsorciumit dhe kërkesat për shtyerje të alokimit të mjeteve janë bërë jo nga klienti im, por nga Ministrat e Financave të mandateve të kaluara”, ka thënë ai.

Qeveritë e kaluara nuk kanë ekzekutuar pagesat me kohë, ku sipas Damatit, Lekaj është sjellë në një situatë ku është dashur që si ministër, në bazë të kompetencave ligjore dhe si kryesues i komitetit ndërministror, të luajë rol vendimmarrës.

Ai ka thënë se Lekaj nuk e ka autorizuar transaksionin e 53 milionë eurove, por komiteti ndërministror, në harmoni me kornizën ligjore, ka proceduar rekomandim dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhje të hapur për publikun dhe me shumicë votash merr vendimin më 5 qershor 2018.

“Pra, autorizimi i 53 milionëve të famshme nuk është bërë nga klienti im, por konform kornizës ligjore është proceduar për shqyrtim të mëtutjeshëm tek organet më të larta, që edhe kanë vendosur për këtë çështje sipas legjislacionit në fuqi”, ka thënë ai.

Sipas avokatit Damati, klienti i tij, përmes veprimeve sipas ligjit e ka shmangur konstitutimin e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke mos i ikur assesi përgjegjësisë dhe vendimmarrjes së tij si ministër, sepse kjo vepër do të mund të manifestohej, në të kundërtën edhe me mos veprimin e tij.

“Konsiderojmë se po ashtu, përveç tjerash, në këtë çështje penale juridike është tejkaluar edhe afati i hetimeve nga organi i akuzës dhe rastin e zgjerimit dhe kërkesës për vazhdim të hetimeve”, ka deklaruar avokati mbrojtës.

Po ashtu, ai ka thënë se nuk ka prova të mjaftueshme, se i mbrojturi i tij ka kryer veprës penale që i vihet në barrë dhe kjo edhe për shkak të mos përshkrimit të veprës penale konform ligjit.

“Edhe dispozitivi i aktakuzës nuk ka arritur assesi që të provojë veprimet konkrete përmes të cilave do të mund të konstituohej figura e veprës penale për të cilën ngarkohet i mbrojturi im”, ka shtuar Damati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të…