Avokati i Popullit: Duhet të ketë përgjegjësi për ngjarjen tragjike në Tetovë
Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut ka reaguar lidhur me djegien e spitalit të improvizuar për personat e sëmurë nga Covid-19 në Tetovë.
Ky institucion ka vlerësuar se përgjegjësi për ngjarjen tragjike duhet medoemos të ketë.
Sipas Avokatit të Popullit, institucionet shtetërore kompetente ua kanë borxh familjeve të viktimave dhe atyre të lënduarve. “Avokati i popullit shpreh keqardhje të thellë për ngjarjen tragjike në spitalin e Tetovës, në të cilin e humbën jetën një numër i madh i pacientëve të hospitalizuar për kurim nga Kovid-19, ndërkaq në të cilin ka edhe pacientë dhe punonjës shëndetësorë të lënduar. Skenat e përhapjes së flakëve, lufta për të shpëtuar çdo jetë njerëzore, askënd nuk mund ta lënë indiferent. Çdo fotografi e kësaj ngjarjeje fatkeqe krijon dhimbje dhe shkakton pikëllim për humbjen që pësuan një numër i madh i familjeve”, është thënë në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Duke iu shprehur ngushëllime familjeve të personave të vdekur tragjikisht, ky institucion ka vlerësuar se vetëm një hetim efikas për ngjatjen do të dëshmonte se funksionon shteti juridik.
“Avokati i popullit konsideron se vetëm me hetim të shpejtë dhe efikas do të dëshmohet se funksionon shteti juridik – sistemi. Përgjegjësi për ngjarjen tragjike medoemos duhet të ketë. Këtë së paku shteti ua ka borxh familjeve të cilat mbetën pa më të afërmit e tyre”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.