Avokati i Popullit e dënon sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla
Avokati i Popullit e ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.
Syla është sulmuar të martën në mbrëmje vonë në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Ai ka raportuar se është sulmuar nga tre persona dhe ka pësuar lëndime në kokë dhe ka pranuar tretman mjekësor.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se ky sulm është i papranueshëm dhe cenim i lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave në Kosovë.
“Sulmet verbale a fizike ndaj gazetarëve, kërcënimet përmes rrjeteve sociale a në çfarëdo forme tjetër, cenojnë të drejtat kushtetuese për sigurinë e gazetarëve dhe të medieve”, ka thënë ai.
Avokati i Popullit ka tërhequr vëmendjen mbi nevojën e mbrojtjes efektive të gazetarëve nga çdo formë e cenimit të sigurisë dhe pengimit të ushtrimit të lirë të profesionit.
Në këtë kontekst, Qelaj ka ftuar organet kompetente që të hetojnë dhe ndriçojnë këtë rast, dhe t’i vënë autorët e sulmit para drejtësisë.