Avokati i Popullit ka marrë kërkesë për dërgimin e vendimit të Qeverisë në Kushtetuese
Avokati i Popullit po pret që qeveria në detyrë ta publikojë formalisht vendimin për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në 90 minuta brenda ditës për parandalimin e përhapjes së virusit “Korona”, që të dalë pastaj me një qëndrim.
Pasi ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, njoftoi për masat e reja që ai i ka ndërmarrë në lidhje me situatën e krijuar nga Covid 19, reaguan të gjitha partitë e juristë të shumtë, se vendimi ishte kundërkushtetues dhe cenon të drejtat dhe liritë për lëvizje të qytetarëve.
Në një përgjigje dhënë Gazetës Express, Institucioni i Avokatit të Popullit thotë se ka marrë një kërkesë individuale në lidhje me vendimin e qeverisë.
“Avokati i Popullit ka pranuar pyetje nga mediat, si dhe një kërkesë individuale lidhur me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e reja në parandalimin e përhapjes së COVID-19”.
Ky institucion tregon se kur vendimi i qeverisë të jetë formal, Avokati i Popullit do të njoftojë në lidhje me qëndrimin e tij. “Me këtë rast, Avokati i Popullit njofton se, me gjithë faktin se për vendimin e qeverisë kanë raportuar mediat, akoma nuk ka ndonjë vendim formal nga ana e qeverisë lidhur me masat e paralajmëruara. Sidoqoftë, Avokati i Popullit është duke e përcjellë situatën dhe pret që Qeveria e Kosovës edhe formalisht ta nxjerrë dhe ta shpallë vendimin dhe Avokati i Popullit do të njoftojë opinionin publik lidhur me qëndrimet e tij”, thuhet tutje në përgjigje.
Ndryshe, avokati Dastid Pallaska, pas publikimit të masave nga ministri Vitia, ka thënë se Avokati i Popullit duhet të mbrojë të drejtat dhe liritë kushtetuese që, sipas tij, po shkelen nga vendimet e qeverisë Kurti. “Avokati i Popullit duhet të marrë përsipër mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kushtetuese të qytetarëve, që po shkelen me vendimet qeveritare për masat kufizuese ndaj COVID-19 për shkak të konfliktit personal të Kryeministrit në ikje me Presidentin. Vendimi kundër-kushtetues i Ministrisë së Shëndetësisë duhet të sfidohet në Gjykatë Kushtetuese nga Avokati i Popullit. Ndryshe, vendi rrezikon të futet në një spirale vetë-shkatërruese që tejkalon edhe rrezikun nga pandemia”, ka shkruar të hënën Pallaska, pasi ministri njoftoi për masat e reja.
Më herët, qeveria Kurti kishte marrë vendime që të kufizoheshin lëvizjet e qytetarët në disa orare të caktuara. Presidenti Hashim Thaci e dërgoi në Gjykata Kushtetuese këtë vendim, pasi sipas tij, vendimi i Kurtit përbënte shkelje, sepse këto kufizime mund të bëheshin, vetëm nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme në vend. Gjykata e shpalli të pavlefshëm vendimin e qeverisë në detyrë. /Express/