Avokati i Popullit: Kërkesa për rinumërimin e votave është legjitime

12 mars 2021 | 13:36

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e ka vlerësuar si legjitime kërkesën e përfaqësuesit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që të ketë rinumërim të plotë të votave për të kthyer “kredibilitetin në procesin zgjedhor”, pas rasteve të keqpërdorimeve.

Qelaj në një intervistë për “EO”, ka thënë se Kosova ka krijuar mekanizma të fuqishëm institucional, që beson se do të vendosin në mënyrë të drejtë për të gjitha kërkesat dhe ankesat që vijnë nga të gjitha partitë politike.

“Në anën tjetër sa i përket kërkesave sa i përket për rinumërim të tërësishëm të votave nuk mund ta kem një qëndrim tim tani, për arsye se prapë në kuadër të mandatit tim nuk mund të lëshohem në diskutim në këtë temë, megjithatë unë besoj që kemi arritur me krijua mekanizma të fuqishëm institucional me vendosë drejtë në lidhje për të gjitha ankesa. Krejt çka mund të them në fund që procesi zgjedhor ka qenë një test i kaluar me notën ma pozitive të mundshme, s edhe përkundër tensioneve që kanë mundur të krijohen për shkak të rivalitetit politik kemi arrit të kemi një proces demokratike”.

“Kërkesa është legjitime por secili do të jetë vendimi unë nuk e di, kështu që mund të mbesë vetëm në suaza të kësaj deklarate. Kështu që çdo gjë që vjen me i heq dilemat në lidhje me respektimin e qytetarëve për të zgjedh është legjitime, mirëpo pastaj është vlerësim i autoriteteve që e kanë mandat me vendos për këto sesi kanë me vendos”, ka thënë Qelaj.

Në mbledhjen e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ibrahim Selmanaj, ka kërkuar rinumërim të plotë të votave për të kthyer “kredibilitetin në procesin zgjedhor”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtari ligjor në Shoqatën e Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica,…