Avokati i Popullit kërkon respektimin e parimit të barazisë gjinore në tërë procesin zgjedhor
Avokati i Popullit ka kërkuar prej partive politike respektimin e parimit të barazisë gjinore në tërë procesin zgjedhor.
Ky institucion pret që partitë politike të bëjnë përfaqësim të barabartë në listat zgjedhore, në pajtim me dispozitat e Ligjit për Barazi Gjinore.
“Avokati i Popullit pret nga subjektet politike që marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, ashtu siç pret edhe nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), që ta respektojnë parimin e barazisë në tërë procesin zgjedhor, me theks të veçantë përfaqësimin e barabartë në listat zgjedhore, në pajtim me dispozitat e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore dhe pajtueshmërinë me frymën të cilën e përcjell Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, është thënë në deklaratën për medie të Avokatit të Popullit.
Garantimi i mundësive të barabarta, sipas këtij institucioni, është përcaktim kushtetues dhe ligjor.
“Garantimi i mundësive të barabarta dhe pa diskriminim mbi baza gjinore jo vetëm është i domosdoshëm për një shoqëri demokratike, por është përcaktim kushtetues dhe ligjor që duhet të zbatohet nga të gjithë, përfshirë këtu partitë politike”, është thënë në deklaratë.
/Epoka e re/