Avokati i Popullit: Nëse ka shkelje në Ligjin për Paga, do ta dërgojmë në Kushtetuese
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka pranuar se institucioni që ai udhëheq ka marrë ankesa nga disa sindikata sa i përket Ligjit për Paga.
Duke thënë se janë në shqyrtim të ankesave dhe ka shtuar se nëse konstatohen shkelje të Kushtetutës, atëherë rasti do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Pasi presidenti heshti në periudhën që i takon, shumica e institucioneve që kishin vërejtje për Ligjin për Paga, ankesat i kanë drejtuar tek ne. Jemi në proces të shqyrtimit e së shpejti do të mbledhim të gjitha të dhënat. Shumica e sindikatave kanë paraqitur ankesa dhe i kemi dëgjuar shqetësimet e tyre. Tash jemi i vetmi institucion që mund të shfrytëzojmë të drejtën për ta dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese. Por për këtë s’mund të paragjykoj sepse jemi në proces të shqyrtimit. Nëse konstatojmë se ka nene që janë në kundërshtim me Kushtetutën, do ta dërgojmë pa hezitim”, ka thënë ai në “Puls” të “KTV”-së.