Avokati i Popullit pranon ankesën e FSShK-së për shtesën 300 euro në paga
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK) ka reaguar me kohë ndaj vendimit të Qeverisë të datës 29.07.2020 në lidhje me aprovimin e shtesave mbi pagë në vlerë prej 300 euro për punëtorët shëndetësorë në sektorin publik me të cilin vendim ka diskriminuar të punësuarit në institucione shëndetësore duke bërë seleksionim të padrejtë.
Në lidhje me këtë, FSShK-ja ka njoftuar se Avokati i Popullit ka pranuar ankesën rreth shtesës në vlerë të 300 eurove për mantelbardhët.
“Pas reagimeve të FSShK-së të adresuar të gjitha institucioneve relevante që të kanë parasysh kërkesën tonë, kemi marrë njoftimin nga Instituti i Avokatit të Popullit se në bazë të neni 21.1. të Ligjit për Avokatin e Popullit është shqyrtuar ankesën lidhur me pohimin për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut apo keqpërdorim nga autoritetet publike dhe në pajtim me nenin 21.1.2 të Ligjit për Avokatin e Popullit ka vendosur si të pranuar ankesën për hetimin e shkeljeve eventuale të pohuara, është bërë me dije në njoftimin e FSShK-së.
FSSHK ka rikujtuar edhe njëherë se sistemi shëndetësor funksionon në mënyrë zingjirore. “Andaj merreni me seriozitet kërkesën që mos të shkëputet ndonjë hallkë e këtij zinxhiri në shëndetësi duke e plotësuar vendimin edhe me pjesën tjetër të stafit në pajtueshmëri të plotë me vartësit e institucioneve shëndetësore. Andaj Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës nuk do ti ndal veprimet deri në arritjen e vendimit meritor për të gjithë profesionistët shëndetësorë dhe stafin mbështetës në sektorin e shëndetësisë”, është thënë në njoftimin e FSShK-së.
FSShK-ja kërkon realizimin e shtesës mbi pagë në vlerë 300 euro, në të kundërtën, do të mbështesë veprimet sindikale me qëllim të plotësimit të kërkesave për mirëqenien e punëtorëve shëndetësorë profesional dhe stafin mbështetës.
(F.D / Epoka e re)