Avokati i Popullit: Qytetarët të pakënaqur me organet e drejtësisë
Avokati i Popullit ka dorëzuar të premten në Kuvendin e Republikës së Kosovës, raportin për vitin 2022, në lidhje me gjendjen e të drejtave të njeriut në vend dhe punën e këtij institucioni.
Sipas këtij raporti, gjatë vitit 2022, numri më i madh i ankesave të qytetarëve kanë pasur të bëjnë me organet e drejtësisë, për shkeljen e së drejtës për kujdes shëndetësor, për të drejtat e punës, për mbrojtje sociale, për të drejtën e pronës, dyshimet se janë të diskriminuar, etj.
“Gjatë këtij viti raportues, IAP ka pranuar gjithsej 1,602 ankesa, prej të cilave 910 janë cilësuar si të papranueshme, ndërsa 676 ankesa janë vendosur si të pranueshme për hetim, dhe 16 raste tjera janë në shqyrtim”, ka njoftuar Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP).
Sipas raportit, ankesat më të shpeshta janë për shkelje të të drejtës për të pasur një gjykim të drejtë e të paanshëm.
“Prej ankesave të pranueshme për hetim, 23 për qind prej tyre janë ankuar për shkelje të të drejtës për të pasur një gjykim të drejtë e të paanshëm, 21 për qind kanë të bëjnë me të drejtën për mjete juridike, ndërsa 12 për qind e ankesave kishin të bënin me të drejtën e punës, e kështu me radhë”, ka njoftuar IAP-ja.
Në anën tjetër, Avokati i Popullit ka nisur 42 raste sipas detyrës zyrtare, e nga ky numër 16 janë nga raportimet në media.