Avokati i Popullit: Të papranueshme deklaratat publike me gjuhë të urrejtjes
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se është shqetësues diskursi publik lidhur me Kodin Civil.
Sipas tij, deklaratat publike përmbajnë gjuhë të urrejtjes, janë të papranueshme dhe krijojnë polarizim të skajshëm.
“Kodi Civil dhe formulimi aktual i zgjidhjes së problemit të martesave ose zgjidhjes juridike të procedurave të martesave të personave me seks dhe gjini të njëjtë, nuk është i formuluar në përputhje me Kushtetutën. Për arsye se ky ligj, ky Kod Civil e rregullon njëjtë si Kushtetuta. Kushtetuta thotë duhet të rregullohet me ligj. Kodi Civil thotë duhet të rregullohet me ligj. Pra, e len të pazgjidhur dhe jo në përputhje me qëndrimet dhe kërkesat që i ka Kushtetuta. Ne nuk kemi nevojë për të hartuar ligje dhe për të përshkruar Kushtetutën, por kemi nevojë me hartuar ligje që në përputhje me parimet me vlerat kushtetuese, Kushtetutën e bën të zbatueshme në praktikë”, ka thënë Qelaj.
Qelaj ka thënë se bojkoti i serbëve në regjistrimin e popullsisë është gabim.
“Bojkoti që sa duket po ndodhë edhe pse nuk dua ta quaj të tillë, mos përfshirja e komunitetit serb në regjistrim, konsideroj që është një dëm i madh që i bëhet vet këtij komuniteti. Është një e drejtë e pa sanksionuar në legjislacionin tonë dhe si e tillë mund të shfrytëzohet apo mund të mos shfrytëzohet nga qytetarët. Por, që e konsideroj gabim sepse mosregjistrimi i qytetarëve të komunitetit serb do të sjell pasoja për vet ata dhe unë besoj që kjo është një qasje e gabuar në raport me interesin dhe me të drejtat që i kanë vet qytetarët e këtij gabimi”, ka deklaruar Qelaj.