Avokati i Thaçit e pyet gjykatësin e Speciales: Pse ka vonesa në nxjerrjen e materialeve?
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke u mbajtur konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ku mbrojtja ka adresuar kritika në drejtim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar lidhur me vonesën në nxjerrjen e materialeve.
Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe ka adresuar kritika në drejtim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar lidhur me vonesën në nxjerrjen e materialeve.
Kehoe ka thënë se qëndrimi i ZPS-së sa i përket rregullës 103, që lidhet me nxjerrjen e materialeve, është shqetësues.
“Unë ju drejtohem zotëri gjykatës që ata nuk e kanë zbatuar urdhrin tuaj. Qëndrimi që ata kanë është shqetësues dhe ende nuk kemi një përgjigje pse ka vonesë në nxjerrjen e materialeve dhe me siguri ne nuk e dimë sa kemi në horizont, ka ende materiale për t’u nxjerrë 30 ditë paragjykimit do të flasim edhe për ato gjatë ditës, bazuar në parashtrimet e djeshme të ZPS-së. Pyetja është pse po ndodh, nuk marrim përgjigje, marrim një përgjigje disi agresive ndaj pyetjes suaj i nderuar gjykatës”, ka thënë avokati i Thaçit.
Edhe avokati i Rexhep Selimit ka pasur të njëjtin shqetësim. “Kanë kaluar më shumë se një vit dhe ne nuk mund t’i mbajmë të akuzuarit përgjithmonë në paraburgim”, është shprehur avokati David Young.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi nuk janë prezentë në sallë, por janë duke e përcjellë atë përmes video-lidhjes.