Avokati i Thaçit kundërshton pyetjen e prokurores: Janë spekulime
Pasi ka folur për një qendër që ai pretendon se janë ndaluar njerëzit në një objekt në Bajgorë, dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka përmendur për një person që sipas tij është marrë në pyetje në brenda objektit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se kishte dëgjuar se personit të koduar me numrin 1 i ishin bërë pyetje me zë të lartë.
“Ka pasur pyetje të parashtruara me zë më të lartë sesa që është normale që të parashtrohet një pyetje. Zëri ka qenë shumë i lartë, shumë detaje nuk kemi arritur t’i dëgjojmë asnjëherë, m’i dëgjuar apo kuptuar nuk kam arritur. Fjala ‘pse’ ka qenë shumë e shprehur”, ka thënë dëshmitari.
Derisa prokurorja Silvia D’Ascoli e ka pyetur atë se çfarë mendon se kishte ndodhur në atë dhomë, kjo pyetje është kundërshtuar nga avokati kryesor i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.
Prokurorja D’Ascoli: Në bazë të atyre që dëgjuat, si menduat ju, çfarë po ndodhte aty në atë dhomë?
Avokati Kehoe: Këto janë spekulime, po kërkohet se çfarë mendonte kur në fakt mund të dëshmohet vetëm çfarë ka dëgjuar.
Gjykatësi Smith: Pranohet kundërshtimi.
Prokurorja D’Ascoli: A mund të dëgjonit ju se çfarë po ndodhte brenda dhomës?
Dëshmitari: Në bazë të kuptimit, që kam arrit me kuptuar ka qenë intervistë, për arsye se është kërkuar llogari ndaj një personi të caktuar.
Prokurorja D’Ascoli: Diçka tjetër që ju kujtohet lidhur me atë rast?
Dëshmitari: Për momentin nuk mund t’i cek saktë.
Prokurorja D’Ascoli: Çfarë ndodhi më pas?
Dëshmitari: Pas 15 minuta ose gjysmë ore ku ka qëndruar personi 1, janë larguar nga objekti, janë larguar komplet, me makinë, dhe ne kemi vazhduar normal derisa e kemi pasur të caktuar.
Pas kësaj, me kërkesë të ZPS-së seanca ka vazhduar e mbyllur për publikun.
Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./Ksp/