Avokati i Thaçit ngre alarmin: Prokuroria e Speciales i paraqiti krerët e UÇK-së si “bandë e krimit”
Liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë duke vazhduar në Hagë betejën e tyre për të arritur deri tek një vendim që atyre do t’u siguronte mbrojtjen në liri. Sidoqoftë, këtë vendim është duke e refuzuar ta marrë tash e gati dy vjet gjyqtari paraprak në Speciale, i cili në secilën rrethanë ka vendosur pro argumenteve të prokurorisë.
Avokati amerikan i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Keohe, ka ngritur alarmin mbi pretendimin se prokuroria dhe Gjykata e Speciales po e arsyetojnë çdo stërzgjatje të paraburgimit për krerët e UÇK-së, duke e klasifikuar atë si “normale”.
Në një parashtresë, Keohe ka thënë se gjyqtari paraprak duhet ta shmang pikën kur vlerësohet se kohëzgjatja e paraburgimit është bërë e paarsyeshme.
Ai ka thënë se prokuroria dhe gjykata po mbështeten në argumentet fillestare në kohën kur është arrestuar Thaçi, mirëpo që tani, gati dy vjet pas, ato arsye kanë pushuar.
“Përgjigja e prokurorisë në thelb synon t’i mbyllë këto procedura nga funksionimi i Rregullës 56(2), duke u përpjekur të justifikojë kohëzgjatjen e burgimit paraprak të z. Thaçit, duke vënë në dukje faktorët mbi të cilët u mbështetën për të justifikuar burgosjen e tij në radhë të parë. Duke iu referuar vazhdimisht rreziqeve të ndërhyrjes së dëshmitarëve dhe duke vënë në dukje konkluzionet e trupit gjykues të Gucatit dhe Haradinajt se ‘kërcënimi serioz i frikësimit dhe ndërhyrjes së dëshmitarëve në Kosovë mbetet aktual’, prokuroria nuk e kupton pikën. Gjyqtari i procedurës paraprake edhe më herët ka urdhëruar burgosjen e z. Thaçi dhe arsyet janë të njohura. Pyetja e duhur është nëse kohëzgjatja e burgimit të tij tani është bërë e paarsyeshme. Sipas logjikës së Prokurorisë, nuk ka një kohë të gjatë që e kthen ekuilibrin në paarsyeshmëri, për shkak të arsyeve në të cilat mbështetej për burgosjen e tij fillestare. Ky arsyetim rrethor nuk arrin të përfshihet në asnjë mënyrë kuptimplotë me parashtresat e Mbrojtjes. Natyrisht, në çdo rast përpara Gjykatës, do të ketë një pikë në të cilën kohëzgjatja e burgimit para gjykimit bëhet e paarsyeshme. Rregulli 56 (2) i Rregullores kërkon që gjyqtari i procedurës paraprake ta shmangë atë”, është thënë në parashtresën e avokatit të Thaçit.
Ajo çfarë është edhe më alarmante në këtë mes, është se avokati Keohe ka thënë se prokuroria, duke dashur ta arsyetojë kohën e mbajtjes në paraburgim të krerëve të UÇK-së, ka krahasuar rastin e tyre në Speciale me banda kriminale e krim të organizuar.
“Në mënyrë alarmante, në justifikimin e arsyeshmërisë së 22 muajve të paraburgimit të pandërprerë, PSP-ja i referohet ‘rasteve që përfshijnë veprimtari kriminale të organizuar’ dhe më pas citon tre raste të GJEDNJ-së që kanë të bëjnë me persona të dyshuar si pjesëmarrës në bandat dhe grupet e organizuara kriminale. Çdo sugjerim se ky rast përfshin krimin e organizuar, ose se mund të hiqen paralele me rastet që përfshijnë bandat kriminale, është i pasaktë dhe duhet të shpërfillet”, është shprehur Keohe.
Gjyqtari paraprak para pak kohësh ka refuzuar lirimin nga paraburgimi të Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, teksa një vendim së shpejti pritet të merret edhe për Hashim Thaçin e Rexhep Selimin.
Çdo kërkesë e ankesë për lirim nga paraburgimi deri tash, pavarësisht garancive të policisë dhe shteteve të treta është refuzuar nga gjyqtari paraprak, panelet e Apelit si dhe ato të Supremes që funksionojnë në kuadër të Gjykatës Speciale.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Qysh në paraqitjet e para trupit gjykues në Speciale, ata janë deklaruar të pafajshëm në raport me akuzuat e prokurorisë.