Avokati i Thaçit: Para 22 vitesh NATO-ja bombardoi për ta ndalë agresionin serb, dhe ja ku jemi sot
Prokuroria e Specializuar e Hagës në seancën e sotme ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka folur për dërgimin e dosjes paragjyqësore, të cilën pret ta bëj në shtator.
Prokurorja e Specializuar ka theksuar se ndryshimi në afate është bërë për shkak të afateve të reja që ka vënë gjykata.
“Është shumë e rëndësishme që të mbahet një lidhje mes afateve të përcaktuara në secilën fazë. Ne parashikojmë që materialet t’i dorëzojmë në javën e dytë të shtatorit. Arsyeja për këtë ndryshim në afat kohor është për shkak të afateve të reja që keni vënë ju gjykatës në rikategorizimin e provave. Ndonëse jemi të fokusuar tek detyrimet që kemi sa i përket nxjerrjes dhe i kemi fokusuar në këtë aspekt, kjo kërkon kohë dhe burime tjera”, ka thënë ajo.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar avokati i Hashim Thaçit, David Hooper. Ai është shprehur i habitur se si Prokuroria dëshiron të bëjë hetime të mëtutjeshme, sot 22 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s ndaj agresionit serb.
“Mua më çudit ajo që thotë prokurorja për hetimet. Çfarë nevoje ka për të bërë hetime në këtë fazë? Jemi 22 vjet pasi NATO bëri bombardime për të ndaluar agresionin serb kundër Kosovës, dhe ja ku jemi sot me një aktakuzë që ua kanë parashtruar deri në imtësi. Çfarë nevoje ka që Prokuroria të bëj hetimet mëtejshme. Më duket se bëjnë për të përforcuar një dosje që s’është aq e fortë. Si mund të thonë që kjo nuk mund të ketë pasoja për datën kur do të nis gjyqi”, ka thënë Hooperi.