Avokati i Thaçit: ZPS-ja dëshiron ta përjashtojë mbrojtjen për intervistimin e dëshmitarëve
Në Gjykatën Speciale në Hagë është duke u mbajtur seanca e radhës në lidhje me procesin gjyqësor kundër ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në këtë seancë është duke u diskutuar në lidhje me intervistimin e dëshmitarëve në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.
Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, ka thënë se mbrojtjes duhet t’i lejohet qasje pa kufizime për intervistimin e dëshmitarëve. Ai ka thënë se në situatën aktuale dhe me masat mbrojtëse të propozuara nga prokuroria, nuk ka barazi në mes të palëve në procedurë.
“Nuk ka barazi të palëve. Flasim për një gjykatë që është e Kosovës dhe dispozitat që duhet të ndiqen. Kjo është shumë e qartë në kuadrin e kësaj gjykate. Procesi gjyqësor kërkon që mbrojtja të përfshihet në të gjithë gamën e shërbimeve. Pra, mbrojtja duhet të sigurojë pa kufizime mbrojtjen e një personi, mbrojtjen e provave dhe përgatitjen për marrjen në pyetje. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut thotë se marrja në pyetje duhet të bëhet pa kufizime, ndërsa ndryshe vepron Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS)”, ka thënë Keohe.
Më tutje, ai ka thënë se 157 dëshmitarë të ZPS-së kanë masa mbrojtëse.
“Dëshmitarët në listën e dëshmitarëve nuk janë dëshmitarë në listën e ZPS-së. Pikë. Janë dëshmitarë, që duhen marrë në pyetje nga të gjitha palët. Kjo është një shtesë paligjshmërie. Kemi 326 dëshmitarë, pothuajse 50 për qind kanë masa mbrojtëse. Pra 157 dëshmitarë nga 326 kanë masa të tilla”, ka thënë ai.
Avokati i Thaçit, ka thënë se absurditeti qëndron se ZPS-ja ka kërkuar masa mbrojtëse edhe për zyrtarë qeveritarë, ndërkombëtarë, si dhe oficerë ushtarakë.
“Janë nën masat mbrojtëse të ZPS-së. Kam lexuar dëshminë e një dëshmitari që përfaqësohej nga një avokat i zoti në Britani. Pra, nga të gjithë këta persona, ZPS-ja po dëshiron të përjashtojë mbrojtjen që të bëj intervistimin e tyre. ZPS-ja thotë se kërkon që ta shmang ritraumatizimin e viktimave. A po e thotë me seriozitet ZPS-ja se edhe gjeneralëve duhet t’ua mbrojë anën psikologjike? Sigurisht që jo”, ka thënë avokati i Thaçit.