Avokati i Thaçit, ZPS-së: Keni thënë se jeni gati për gjykim në maj të vitit 2021
Avokati i Hashim Thaçit në Hagë, Gregory Keohe, ka vazhduar me akuzat e tij ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vonesat në nxjerrjen e materialeve.
Keohe ka përmendur faktin se ZPS-së i është dhënë afat që materialet sipas rregullës 102.3 të jepen deri më 30 shtator, duke thënë se të njëjtin nuk e kundërshton.
Megjithatë, duke ritheksuar këtë afat, ai ka përmendur propozimin absurd të prokurorisë, e cila pretendonte që gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së të nis qysh në maj të vitit 2021.
“Po flasim për nxjerrjen e materialëve të rregullës 102.3. Ne nuk kemi kundërshtim për afatin 30 shtator, por po flasim për datën 30 shtator kur prokuroria ka thënë që jemi gati për gjykim që në maj të vitit 2021. Ne kërkojmë një lloj nxjerrjeje në vijimësi. Sa herë që mbaron një grup dokumentesh, pse mos ta dorëzosh tani. Dhe në vend që të marrim një tufë dokumentesh në shtator, do të ishte më e udhës që këto dokumente të jepeshin tani në vijimësi sa herë që të jenë gati”, ka thënë avokati Keohe.