Avokati i Veselit: Dy gjykime ndërkombëtare konstatuan se UÇK-ja s’kishte politikë të sulmonte civilët
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka thënë se janë dy procese gjyqësore ndërkombëtare që kanë konstatuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk kishte politikë të sulmit kundër civilëve.
Ai këto komente i ka bërë në konferencën e sotme statusore në të cilën po diskutohen disa pika para se të fillojë procesi gjyqësor, që sipas të gjitha pritjeve mund të ndodhë nga muaji mars.
“Dy gjykime, ai i Haradinjat dhe Limajt, kanë konkluduar se nuk kishte politikë të UÇK të sulmonte civilët”, ka thënë Emmerson, teksa po përgjigjet në diskutimin rreth pikës që ka të bëjë me akuzën për krime kundër njerëzimit.
Një nga tjerat diskutime të rëndësishme që kanë diskutuar mbrojtja dhe prokuroria ishte edhe juridiksioni kohor i konfliktit të armatosur në Kosovë.
Për këtë çështje, mbrojtja e të akuzuarve ka theksuar se ka mospërputhje rreth periudhës së nisjes dhe mbarimit të konfliktit mes Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara dhe vendimeve nga Tribunali Ndërkombëtar për ish Jugosllavi – por edhe fakteve të tjera.
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misteic, ka thënë se faktet që përdor Zyra e Prokurorit të Specializuar janë të njëjtat me ato që kishte përdorur edhe Tribunali për ish-Jugosllavi.