Avokati i Veselit: Kur të dalin në pah provat që ka prokuroria, aktakuza do të quhet qesharake
Avokati i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Ben Emmerson, në fjalën e tij në seancën statusore që po mbahet pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, ka kritikuar deklaratën “ndërmarrje kriminale”, referuar UÇK-së, madje ai ka thënë se kur të dalin në pah provat që ka kjo prokurori, aktakuza do të quhet qesharake.
Emmersoni ka thënë se popullsia civile është dëbuar nga Kosova për në vendet fqinje si në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri e Mal të Zi dhe UÇK ka pasur aftësi minimale për ta mbrojtur popullsinë civile.
“Vendi u përfshi nga kaosi dhe nga dhuna, popullsia u dëbua për në vendet fqinje si në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi…. Kur të dalin në pah provat që ka prokuroria kjo aktakuzë do të quhet qesharake”.
“Në këtë kontekst mund të jenë kryer disa krime individuale nga disa anëtarë të UÇK-së, por këto janë krime individuale minore, në krahasim me shkallën kasaphane që ushtroi Jugosllavia ndaj shqiptarëve”.
“Drejtuesit që sot janë në bankën e të akuzuarve, ishin sikur të gjithë burrat dhe gratë e Kosovës, që vendosën t’i bashkohen UÇK-së, që qëllim të përbashkët kishin të mbronin vetën dhe komunitetin e tyre”, është shprehur Emmersoni.