Avokati i Veselit ‘përplaset’ me gjykatësin: Prokuroria po bën akuza kundër krejt UÇK-së dhe Pavarësisë së Kosovës
Përplasje të ashpra në mes të avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson dhe gjykatësit paraprak janë zhvilluar të premten në Gjykatën Speciale.
Emmersoni ka filluar me akuza ndaj prokurorisë e cila sipas tij ka gënjyer gjatë gjithë kohës në këtë proces duke i mbajtur krerët e UÇK-së në burg.
“Në qoftë se ka një elefant në dhomë. Ka diçka që nuk është në agjendë. Prokuroria është organ që mori vendimin që të arrestonte këta burra, dhe ata kërkuan mbajtjen e tyre të ndaluar më shumë se një vit. Disa gjëra duhet të vendosen tani. Prokuroria ka gënjyer. Prokuroria u bindi juve që këta burra që janë në ndalim duhet të mbeten të tillë dhe deri në fund të vitit do të kishte zhvillime dhe do të ishin gati për nisjen e gjykimit. Kjo nuk është e vetmja gënjeshtër. Ju na akuzoni se po ju çorientojmë. Do t’iu jap edhe një tjetër shembull të qasjes së prokurorisë. I nderuar gjykatës ka një vit që këta burra janë në burg dhe jam i bindur që Prokuroria do të vazhdojë që të tentojë t’iu bind juve që kjo të vazhdojë. Me gjithë respektin ju dëgjoni me ëndje dhe nuk kërkoni asnjë shpjegim lidhur me atë që premton ZPS-ja. Gjykata po jep pamjen shumë të keqe sa i takon individëve që janë të ndaluar. Në korrik ata thanë që janë në drejtimin e duhur”, ka thënë avokati Emmerson.
Më tutje, ai ka kritikuar edhe gjykatësin, që sipas tij duhet të reagojë ndaj këtyre sjelljeve të prokurorisë.
Një deklaratë e tillë, ka bërë që të reagojë gjyqtari paraprak, Nikola Giju.
“Ju lutem, futuni drejt e në temë..”, ka thënë gjykatësi.
Ai ka thënë se provat kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së është vërtetuar se janë të zbulimit serb. E kjo sipas tij është vërtetuar në gjyqin kundër Ramush Haradinajt.
“Është një rrugë me dy pista. Shumica e gjykatësve në pozicionin tuaj do ta kishin humbur durimin me prokurorinë. Institucioni u themelua për të shqyrtuar këto akuza absurd që u sajuan nga dëshmitarë që i ka paraqitur zbulimi serb sepse është zbuluar në gjyqin e Haradinajt”, ka thënë Emmersoni.
“Nuk ka fare lidhje kjo që po thoni….”, ka ndërhyrë gjykatësi, i cili ka marrë këtë përgjigje nga Emmersoni.
“Askush nuk u habit. Prokuroria nuk ka gjetur asnjë provë që të mbështesë akuzat e saja. Themelet për ngritjen e këtij tribunali kanë qenë të mbështetura në gënjeshtra. Nuk mund të ma hiqni të drejtën e fjalës”, ka thënë Emmersoni.
Me këtë deklaratë nuk është pajtuar gjykatësi Giju.
“Unë po ju kërkoj që të jeni të sjellshëm në këtë sallë gjyqi”, ka thënë ai.
Më tutje, avokati i Veselit ka thënë se Gjykata Speciale është duke tentuar ta paraqes UÇK-në si “ndërmarrje kriminale”.
“Nuk besoj pse mendoni që kjo është e pasjellshme. Padurimi juaj po drejtohet gabimisht. Po flasim për të vërtetën që ka ndodhur. Ajo që është e qartë kur lexon materialet është se ‘ndërmarrja e përbashkët kriminale’ është UÇK, dhe ekzistenca e atij grupi. Pse ka rëndësi? Sepse së fundmi kur u hap gjyqi i Mustafës. ZPS-ja tha ‘nuk bën akuza kundër UÇK-së apo pavarësisë së Kosovës’. Megjithatë, me këtë po përballemi këtu. Nuk ka se si t’i lexosh provat përveç se të themi se ajo që prokuroria po orvatet të bëjë është se UÇK ka qenë një ndërmarrje kriminale”, ka thënë Emmersoni.
Madje, ai ka thënë se prokuroria po mundohet të nxjerrë diçka nga asgjëja, pasi nuk kanë asnjë provë
“Prokuroria sigurisht po përpiqet që të hartojë dosjen e saj paragjyqësore sepse duhet të nxjerrë diçka nga asgjëja. Pra i jep vetes datën më të largët të mundshme”, është shprehur Emmersoni.