Avokati i Popullit: Deportimi i shtetasve turq në kundërshtim me standardet ndërkombëtare
Dyshimet e ngritura se janë shkelur standardet ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut, ka shtyrë Avokatin e Popullit të Kosovës që të nisë hetimet lidhur me deportimin e gjashtë qytetarëve turq javën e kaluar.
Autoritetet e sigurisë në Kosovë, nën arsyetimin se këta persona paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fillimisht ua revokuan të njëjtëve të drejtën e qëndrimit dhe më pas i deportuan nga Kosova për në Turqi, në bashkëpunim me inteligjencën turke.
Në një bisedë për “Radion Evropa e Lirë”, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se veprimet e ndërmarra nga autoritetet publike janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, të zbatueshme në sistemin e brendshëm juridik të Republikës së Kosovës.
Ai deklaruar se janë përcjellë edhe shqetësimet që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjeve vendore përkatësisht ligjit për të huajt. Në një vlerësim preliminar, sipas tij, është vërejtur që këto ligje nuk janë zbatuar.
Jashari ka thënë se ishin shqetësimet e përcjella nga anëtarët e familjeve të personave që janë dëbuar nga Kosova, që e kanë shtyrë këtë institucion t’i nisë hetimet.
“Kam vendosur të hapim hetime në momentin kur kemi kuptuar që ata janë deportuar nga Kosova dhe kjo për mendim tim është në kundërshtim të plotë me standardet ndërkombëtare që janë të zbatueshme në Kushtetutën e Kosovës dhe kjo konsiderohet si një prej shkeljeve më të rënda që ka të bëjë me mbrojtjen nga keqtrajtimi, turpërimi, trajtimi ç’njerëzor dhe degradues që është neni 3 i Konventës Evropiane dhe aspektet procedurale që lidhen gjithashtu me zbatimin e këtij neni”, ka thënë Jashari.
Avokati i Popullit ka pohuar se është herët të flitet për rezultatet e këtyre hetimeve, mirëpo ka shtuar se janë duke marrë informacione nga të gjitha institucionet që kanë qenë të përfshira në këtë rast.
“Është vështirë për të folur dhe për të paragjykuar tash hetimet dhe veprimet që jemi duke ndërmarrë, mirëpo jemi në fazën e mbledhjes së të gjitha informatave të të gjitha institucioneve relevante që kanë qenë të përfshira në këtë proces edhe jemi duke e hetuar atë që është më e rëndësishme, procesin e vendimmarrjes edhe zbatimin e procedurave ose jo të autoriteteve që kanë qenë të thirrura për të kryer këtë procedurë në pajtueshmëri me këto standardet që unë i përmenda”, ka theksuar Avokati i Popullit.
Deportimi i këtyre gjashtë personave sipas tij, do të duhej bërë duke respektuar të gjitha procedurat.
“Në asnjë shtet nuk mohohet mundësia për të deportuar ose për të ekstraduar një person, mirëpo jo pa i përcjellë hapat proceduralë që garantohen edhe me ligje vendore dhe kjo është shqetësimi kryesor, jo vetëm i imi po besoj por edhe i të gjitha institucioneve dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, ka thënë Jashari.