Avokati i Popullit: Ministri i MPB-së ka tejkaluar kompetencat ligjore për anulimin e konkursit për inspektor

29 janar 2018 | 17:04

Avokati i Popullit ia ka përcjellë të hënën kryeministrit, Ramush Haradinaj, ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dhe kryeshefit ekzekutiv të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Hilmi Mehmeti, raportin me rekomandime përkitazi me vendimin e IPK-së, të datës 29 dhjetor 2017, për anulimin e procesit të rekrutimit për inspektor/hetues, të shpallur më 24 korrik 2017.

Sipas raportit të Avokatit të Popullit, rasti është hapur sipas detyrës zyrtare nga ana e Avokatit të Popullit, me qëllim të vlerësimit të vendimit të ministrit të MPB-së, për pezullimin e nënshkrimit të kontratave me kandidatët e suksesshëm në konkursin e Inspektoratit Policor të Kosovës për inspektor/hetues dhe kërkesën për anulimin e tërësishëm të procedurës së rekrutimit.

“Në arsyetimin e dhënë nga ministri i MPB-së për pezullimin e nënshkrimit të kontratave, thuhet se vendimi është marrë për shkak të ankesave të shumta që kanë pranuar ai dhe kryeministri, nga kandidatët që nuk janë përzgjedhur në konkursin në fjalë dhe është bazuar në nenin 10 të Ligjit Nr. 03/L-128 për auditimin e brendshëm, si dhe nenin 9 paragrafi 1, nën-paragrafët 1.4, 1.5, dhe nenit 16 të Rregullores nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së Kryeministrit dhe ministrive. Ministri i MPB-së nuk ka dhënë ndonjë sqarim lidhur me zbatimin apo mos-zbatimin e UA Nr.1/2017 për procedurat lidhur me kushtet e punësimit dhe të punës për punonjësit e IPK, në bazë të të cilit është shpallur konkursi”, është thënë raportin e Avokatit të Popullit.

Në raportin e tij, Avokati i Popullit e ka analizuar mbështetjen ligjore në të cilin është thirrur ministri i MPB-së në arsyetimin e dhënë dhe e ka vlerësuar si jorelevant në rastin konkret.

“Funksionimi i IKP-së bazohet në Ligjin për Inspektoratin Policor, i cili e përcakton atë si institucion ekzekutiv të MPB-së, të pavarur nga Policia e Kosovës, që funksionon nën autoritetin e Ministrit dhe nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së”, është thënë në këtë raport.

Më tutje, Avokati i Popullit në raportin e tij ka vlerësuar se Ligji për IPK-në ka bërë ndarjen e qartë në mes të kompetencave të ministrit dhe kryeshefit ekzekutiv të IPK-së dhe se rrjedhimisht, ky i fundit është subjekti përgjegjës, i cili duhet ta bëjë organizimin e punësimit të personelit.

Avokati i Popullit ka vlerësuar se kërkesa e ministrit të MPB-së për anulimin e procedurës së finalizuar përbën tejkalim të kompetencave të tij ligjore, ashtu siç vendimi i kryeshefit ekzekutiv për anulimin e procedurës, sipas kërkesës së ministrit, përbën tejkalim të kompetencave ligjore edhe nga ana e kryeshefit ekzekutiv dhe ngre një sërë çështjesh kushtetuese dhe ligjore nga pikëpamja e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

“Avokati i Popullit konsideron se me anulimin e procedurës së rekrutimit janë shkelur: Parimi i ligjshmërisë, neni 4 (paragrafi 1 dhe 2); Parimi i objektivitetit dhe paanësisë, neni 7; Parimi i pritshmërisë së ligjshme dhe të arsyeshme, neni 8; Parimi i të drejtës në mjete juridike, neni 13 – të përcaktuara me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, të cilat përbëjnë elemente qenësore të një procesi të rregullt”, është thënë në raportin e Avokatit të Popullit.

Në raportin e tij, Avokati i Popullit ka konstatuar se vendimi për anulimin e procedurës së rekrutimit demonstron dështimin e autoriteteve, për të qenë objektiv dhe të paanshëm gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, me çka vihet në konstatimin se ka pasur ndërhyrje në të drejtat e kandidatëve të suksesshëm për të themeluar marrëdhënie të punës, të garantuar me nenin 49 të Kushtetutës.

Raportin e plotë të Avokatit të Popullit mund ta lexoni në:  

http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/Ex_Officio_rasti_nr_731-2017____364686.pdf

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jose Mourinho ka arritur kuotën e 100 ndeshjeve si trajner…