Avokati i Popullit publikon 23 raporte për zvarritjen e procedurave gjyqësore
Avokati i Popullit më 29 maj, ia ka përcjellë Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë gjithsej 23 raporte me rekomandime, prej të cilave 17 gjykatës të Gjykatës së Apelit dhe 6 gjykatës të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me zvarritjen e procedurave gjyqësore në kontestet civile.
Nga rastet që janë trajtuar në këto raporte, Avokati i Popullit ka gjetur se procedurat gjyqësore zgjasin deri më 14 vite, e që kjo kohëzgjatje ka gjasa të rritet ende më shumë, meqë të njëjtat vazhdojnë të jenë në shqyrtim nga gjykatat përkatëse.
“Së këndejmi, Avokati i Popullit, duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi si dhe instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ka konstatuar se ka shkelje të së drejtës për proces të rregullt gjyqësor, duke pasur parasysh se ‘çdo njeri ka të drejtë për një proces të drejtë dhe të hapur brenda një afati të arsyeshëm’. Po ashtu, është konstatuar se ka shkelje të së drejtës për mbrojtjen gjyqësore të të drejtave, duke marrë parasysh se ‘çdo kush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me Kushtetutë ose më ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore, nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur’”, është thënë në njoftimin e institucionit të Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit ka rekomanduar gjykatat përkatëse që pa vonesa të mëtutjeshme t’i ndërmarrin të gjitha veprimet përkatëse ligjore për shqyrtimin dhe vendosjen e rasteve, për të cilat është konstatuar se ka zvarritje të procedurave gjyqësore.
Të 23 raportet me rekomandime, të datës 29 maj, që trajtojnë zvarritjen e procedurave gjyqësore në konteste civile, ashtu siç u janë përcjellë autoriteteve përgjegjëse, në formatin e tyre të plotë u janë përcjellë medieve. Po ashtu, raportet janë publikuar edhe në uebfaqen zyrtare të IAP-së.
/Epoka e re/