Avokati i Popullit do që KQZ-ja t’i japë qasje KDI-së në raportet financiare të partive politike
Institucioni i Avokatit të Popullit, ka publikuar rekomandimin për Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) me të cilin rekomandon që Institutit Demokratik të Kosovës t’i ofrojë qasje në raportet financiare dhe raportet e shpenzimeve të partive politike.
Fillimisht KDI, në janar të vitit të kaluar ka bërë kërkesë për qasje në dokumente publike tek KQZ-ja, respektivisht Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive, duke kërkuar“qasje në raportet financiare dhe raportet e shpenzimeve të disa partive politike për vitin 2015, si: PDK, LDK, LVV, LS, AAK, NISMA.”
Dhe pas kalimit të afatit ligjor për kthim të përgjegjes nga KQZ, KDI i është drejtuar Avokati i Popullit me Ankesë për mos lejim të qasjes në dokumentet publike sipas afatit ligjor.
“Avokati i Popullit përmes letër rekomandimit për KQZ-në, i jep të drejtë KDI-së në kërkesën e saj për qasje në dokumektet e kërkuara dhe i ka rekomanduar KQZ-së që ta ofrojë këtë qasje për KDI-në.KQZ pas këtij rekomandimi sipas Ligjit për Avokatin e Popullit ka afat 30 ditor që ta përmbushë rekomandimin e Avokatit të Popullit dhe ta njoftojë atë me veprimet e ndërmarra”, thuhet në njoftimin e KDI-së.
Më tej KDI në këtë njoftim thotë se konsideron se përkundër faktit që KQZ ka publikuar online raportet financiare dhe të auditimit të partive politike, në këto raporte nuk ka pasqyrim të qartë të shpenzimeve dhe të hyrave të partive politike.
“Andaj kërkesa e KDI-së për qasje në raportet financiare dhe të shpenzimeve të disa partive për vitin 2015 vazhdon të jetë e arsyeshme”, thuhet në njoftimin e KDI-së.