Avokati i Popullit: Të arrestuarit janë dërguar në Turqi
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, nëpërmjet një deklarate për medie është shprehur i shqetësuar me situatën e krijuar që nga marrja e informatës për arrestimin e gjashtë shtetasve turq, me leje qëndrimi në Kosovë.
Në deklaratë të Avokatit të Popullit është thënë se janë bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar informacion zyrtar për vendndodhjen dhe gjendjen e të arrestuarve, mënyrën e arrestimit dhe aktin e deportimit të tyre drejt Turqisë.
“Pas insistimit të pandërprerë të Avokatit të Popullit, Policia e Kosovës (PK), respektivisht Drejtoria për Migrim dhe të Huaj (DMH), sot, në orën 14:00, është njoftuar se nga ana e DMH-së së PK-së, më 29 mars 2018, janë nxjerrë gjashtë urdhra për largim me forcë të shtetasve në fjalë, nga territori i Republikës së Kosovës, për në Turqi. Lëshimi i këtyre urdhërlargimeve me forcë është aplikuar duke u bazuar në vendimet e Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion (DShAM) të MPB-së, që mbajnë datën 23 mars, të përcjella tek DMH, më 28 mars. Sipas njoftimit të PK-së, shtetasit në fjalë janë ndaluar më 29 mars dhe janë përcjellë të njëjtën ditë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nga ku ka ndodhur dëbimi për në shtetin e tyre të origjinës”, është thënë në deklaratën e Avokatit të Popullit.
Sipas kësaj deklarate, Avokati i Popullit dje ka kontaktuar DMH-në në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ka kërkuar të dijë nëse personat në fjalë po mbahen në Qendrën e Mbajtjes për të Huajt, por është njoftuar se ata nuk janë dërguar aty.
Ndërsa gjatë ditës së sotme po nga i njëjti departament është pranuar njoftimi se ka pasur vendime për revokimin e lejeqëndrimit të personave veç e veç.
“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe kompleksitetin e rastit dhe konfuzionin e autoriteteve mbi linjën e përgjegjësisë, Avokati i Popullit ka vendosur të hapë rast ‘ex officio’ për t’i hetuar në detaje veprimet e ndërmarra nga autoritetet publike. Sidoqoftë, në këtë fazë Avokati i Popullit pohon se veprimet e ndërmarra nga autoritetet publike janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, të zbatueshme në sistemin e brendshëm juridik të Republikës së Kosovës”.
“Konventa Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj saktëson qartë garancitë procedurale në lidhje me dëbimin e të huajve. Në kuptim të nenit 3, nenit 6, nenit 8 dhe nenit 13 të KEDNJ-së, ashtu siç edhe Parimit themelor të moskthimit (non-refoulement ) sipas Konventës për Refugjatë të vitit 1951, përgjegjësia bie tek autoritetet shtetërore kompetente lidhur me situatën e krijuar. Mbi të gjitha, garancitë e nenit 3 (ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues) dhe nenit 6 (e drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të KEDNJ-së, në shoqëritë demokratike, nuk mund të shfuqizohen, as në rrethanat e jashtëzakonshme”, është thënë në njoftimin e Avokatit të Popullit.