Avokati Ramiz Krasniqi përuron librin “Ballë për ballë me krerët e SHIK-ut”
Avokati i Sadri Ramabajës në rastin “Syri i Popullit”, Ramiz Krasniqi, ka promovuar të premten librin “Ballë për ballë me krerët e SHIK-ut”, ku është përmbledhur ecuria e këtij procesi gjyqësor e shkeljet që sipas tyre kanë qenë evidente.
Libri është i ndarë në dy pjesë dhe gjithësejt ka 13 kapituj.
Autori i librit ka thënë se në përmbajtje është përfshirë rasti me ish-prokurorin, Sylë Hoxha, i cili sipas tij ishte i papërshtatshëm që të ngritë aktakuzë për këtë rast, meqenëse në cilësinë e prokurorit emri i tij është atakuar në programin për kryerjen e atenateve.
Ndërkaq, Sadri Ramabaja, ka theksuar se drejtësia është përballur me udhëheqësit e shtetit në rastin ku ai ishte një nga të akuzuarit për përgaditje të atentateve ndaj disa liderëve shtetërorë.
Sipas tij, të gjitha ato që janë paraqitur në libër mund të faktohen me procesverbale.
Në promovimin e librit pjesëmarrës ishin edhe Sami Kurteshi e Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, por që këta sipas Ramabajës këtu erdhën vetëm në cilësinë e miqve të tij.