Avokati serb Çedomir Stojkoviq bën homazhe te varri i Blerina Jasharit, ia lë një letër
Çedomir Stojkoviq, avokat i politikanit serb, Nikola Sanduloviq, ka vendosur lule te varri i Blerina Jasharit, vajzës shtatëvjeçare të vrarë në Prekaz forcat ushtarake dhe policore serbe.
Stojkoviqi ka lënë edhe një letër pranë varrit të shtatëvjeçares, e në të cilën shkruan për kërkimfalje. “Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet paqe. Dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën ‘Më fal’”, është thënë në letrën e lënë nga Stojkoviqi në tri gjuhë.
Stojkoviq pati paralajmëruar se do të shkojë për të vendosur lule te varri i 7-vjeçares e cila është vrarë krah anëtarëve të tjerë të familjes Jashari nga forcat e armatosura serbe në vitin 1998.
Stojkoviq ka shkruar se pas këtij veprimi do të dorëzohej tek autoritetet e Beogradit për t’i sfiduar dhe treguar se në Serbi ekziston një rregull i ri, sipas të cilit, çdo vendosje lulesh në varret e fëmijëve shqiptarë dënohet me rrahje dhe burg.
Nikola Sanduloviq ishte arrestuar dhe ka pretenduar se është rrahur nga shërbimi sekret serb pikërisht për këtë arsye.
Në fletarrestimin ndaj tij thuhej se ai kishte nxitur urrejtje kombëtare, racore e fetare, duke e përmendur rastin kur kishte bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz.