Avokati serb pasi bëri homazhe në Prekaz: Liria gjithmonë fiton!
Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, i cili mbron politikanin serb, Nikolla Sanduloviq, ka përsëritur veprimin e klientit të tij duke vendosur lule te varri i Blerina Jasharit, shtatëvjeçares së vrarë nga forcat serbe gjatë sulmit të familjes Jashari në Prekaz.
Ai ka bërë nderime dhe kërkimfalje, duke thënë se nuk frikësohet nga arrestimi sikurse i ka ndodhur Sanduloviqit.
Në fjalimin e tij para mediave, Stojkoviqi ka thënë se mesazhi i Prekazit është se “liria gjithmonë fiton”.
“I arrestuar ose jo, unë do të vazhdoj të jem njeri i lirë. Siç janë plot. Sepse liria nuk vjen nga gjykimet. As burgjet nga hekurat. Liria vjen nga zemra e njeriut. Ne nuk kemi frikë sepse njerëzit e mirë s’kanë pse të frikësohen. Ne veçse e kemi shpjeguar veten tonë. Prej të gjitha mesazheve që lihen në këtë vend, ky është më i rëndësishmi: Liria gjithmonë fiton!”, ka thënë ai para mediave.
Stojkoviqi e ka lënë edhe një letër te varri i Blerinës të shkruar në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht.